Sekretari Amerikan i Shtetit vijon vizitën zyrtare në Tiranë. Pas takimit me presidentin Bajram Begaj në Presidencë sekretari amerikan i shtetit u vendos tek Piramida ku po zhvillon një takim me të rinjtë në ambientet e Piramidës, me temë “Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”, ku i pranishëm është edhe kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së mbajtur kryeministri Rama tha se në emër të të gjithë shqiptarëve i uron mirseardhjen Blinken ndërsa thotë se “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”.
“Shumë nga pronarët e kësaj piramide do donin të ishin këtu, por protokolli i Departamentit të Shtetit nuk i lejoi. Ne emër të të gjithë Shqiptarëve iu uroj mirëseardhjen dhe siç thotë edhe ligji ynë prej 500 vjetësh, “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Mirësevini në Shqipëri miku im, ne nuk jemi aq të mëdhenj sa vendet e tjera, por jemi të parët për dedikimin tonë dhe nuk jemi aq të mërzitshëm sa vendet e tjera janë”- u shpreh Rama.