Shqiptarët janë më pak të lumtur me jetën e tyre sesa ishin në vitin 2016.
Një raport i bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vëren se në vitin 2022 niveli i kënaqësisë së të jetuarit në Shqipëri ka ardhur në rënie në krahasim me vitin 2016 dhe ka mbetur thuajse njësoj saç ishte në vitin 2006.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim:Një rajon që ka bërë përparim thelbësor që nga viti 2016 është Evropa Juglindore. Përjashtimi i vetëm është Shqipëria, ku ky rezultat ka mbetur pak a shumë i pandryshuar.
Vendi ynë renditet ndër të fundit në rajon bashkë me Maqedoninë e veriut, teksa niveli i kënaqësisë nga jeta është rritur ndjeshëm në Kosovë, Mal të Zi dhe Greqi.
Raporti i BERZH evidenton gjithashtu se risku financiar dhe i kursit të këmbimit duhet të monitorohet me kujdes.
“Sektori financiar është likuid dhe i qëndrueshëm, por duhet mbajtur vigjilencë në dritën e ngadalësimit ekonomik dhe politikës monetare më të shtrënguar”.
Në këtë aspekt BERZH thekson se përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të ndërtuar rezerva më të larta kapitali janë të mirëseardhura./ Tv Klan