Shqipëria nuk do të jetë më nën monitorimin e plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ministri i Jashtëm Igli Hasni ka dhënë lajmin përmes një postimi në rrjetin social” Facebook”.
Hasani shkruan se ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Lajm i mirë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të postmonitorimit.
Ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”-shkruan Hasani.