Një shpërthim i madh ka ndodhur në një fabrikë në Balikesir të Turqisë. Guvernatori i rajonit, Ismail Ustaoglu teksa ka dhënë dhe informacionet e fundit mbi shpërthimin që përfshiu të gjithë fabrikën në krahinën Karesi, u shpreh se 12 persona kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Nga raportimet e fundit, 12 punëtorë humbën jetën dhe 3 të tjerë u dërguan me urgjencë në spital si pasojë e dëmtimeve që kanë marrë si rezultat i shpërthimit. Ne jemi në vendngjarje me të gjitha ekipet tona. Po përpiqemi të neutralizojmë zjarrin”, njoftoi Ustaoglu.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunç njoftoi se 4 prokurorë janë përcaktuar për t’u marrë me hetimet e këtij incidenti, teksa ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, dha informacione mbi gjendjen e 5 personave të tjerë të lënduar nga ky shpërthim.
Siç raportojnë mediat turke, shpërthimi ndodhi për shkaqe ende të panjohura në një seksion prodhimi të municioneve.
112 ekipe emergjente shëndetësore dhe shërbime zjarrfikëse janë në gatishmëri në rajonin ku ndodhi shpërthimi.