Një bombë artizanale ka shpërthyer jashtë një banke në qendër të Athinës. Sipas policisë greke,çdo gjë ka nisur pak mbas orës 22:05 të së mërkurës, sipas orës lokale, kur një person ende i panjohur, për të cilin policia thotë se është terrorist marksist, telefonoi në redaksinë e një faqeje interneti lajmesh, për të paralajmëruar se një bombë do të shpërthente në filialin e “Eurobank” në qendër të Athinës, duke dhënë 35 minuta kohë për evakuimin e zonës.
Policia që mbërriti menjëherë në zonë, mundi të gjejë mekanizmin shpërthyes, i cili ishte lënë në hyrje të bankës, prej dy personave të maskuar. Bomba shpërtheu në momentin që terroristët kishin paralajmëruar. Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm dhe dëmtoi fasadën e bankës si dhe xhamat e dyqaneve pranë filialit të bankës.