Një 29-vjeçar është arrestuar në qytetin e Vlorës, pasi gjatë kontrollit që i është ushtruar në banesë i janë gjetur doza kokaine gati për shitje.
Në pranga ra shtetasi V. F., 29 vjeç, banues në Fushë Dukat, ndërsa policia ka sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde.
“Pas një hetimi të kryer bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë kanë finalizuar operacionin e koduar “Parts 35”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Vasil Fisti, 29 vjeç, banues në Fushë Dukat.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde, gati për shitje”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.