Policia e Vlorës ka vënë në pranga 2 shtetas dhe ka proceduar penalisht 1 tjetër, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin e Vlorës.
Mësohet se 2 prej tyre siguronin euro të falsifikuara dhe një i tretë i fuste në treg duke kryer blerje në biznese të ndryshme të qytetit.
“Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Cash”. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
•J. T., 25 vjeç, banues në Skrapar;
•B. S., 35 vjeç, banues në Përmet.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin e Vlorës. Shtetasi T. K. dyshohet se siguronte kartëmonedha false nga dy të arrestuarit dhe më pas i fuste në treg duke i përdorur për blerje në biznese të ndryshme të zonës.
Gjatë operacionit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shumë prej 2550 eurosh të dyshuara të falsifikuara, në prerje 50 dhe 100 euro”, njofton policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Opinion.al