Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, foli në Kuvend për protestën e opozitës. Koçiu tha se policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ndërsa shtoi se 11 policë u lënduan.
“Dua të jem e qartë kur them që policia nuk ushtroi dhunë. Policia u përball me dhunë. Në protestë efektivët u sulmuan me molotov dhe sende të forta, dhe për pasojë 11 efektivë u lënduan dhe morën ndihmën në spital. U bë thirrje vazhdimisht për qetësimin e situatës dhe vetëm pas kësaj u ndërmorën masa për shpërdarjen e turmave sipas rregulloreve”, u shpreh Koçiu.
Ajo shtoi se “hedhja e molotovëve dhe sulmi ndaj institucioneve dhe policisë nuk është protestë”.
Më tej, ministrja e Brendshme sqaroi edhe shoqërimin e një të mituri në komisariat gjatë protestës.
“U konstatua duke hedhur gurë dhe sende të forta drejt policisë. I mituri është 14 vjeç, në asnjë moment nuk u trajtua në mënyrë çnjerëzore. U mbajt në ambiente të veçanta. Askush nuk duhet të përdorë të miturit si mburojë politike”, tha Koçiu.
















