Analisiti Armand Shkullaku ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Në emisionin “Opinion”, Shkullaku u shpreh se në aspektin profesional vendimi ishte i duhur, por theksoi se nuk është një vendim me integritet.
Sipas tij, gjyqtarët që kanë votuar kundër shkarkimit të Erion Veliajt në të gjitha rastet kanë votuar pro kryeministrit Edi Rama.
“Në pamje të parë duket sikur gjykata ka marrë një vendim që bie ndesh me Ramën. Rama ka kërkuar shkarkimin e Veliajt, gjykata ia lë përsëri në krye të bashkisë. Ramës i anulohen zgjedhjet, i anulohet Ogerta si kryetare bashkie, i anulohet urdhri që dha nga Asambleja për ta shkarkuar. Po të shikosh pesë gjyqtarët që kanë votuar kundër shkarkimit të Veliajt janë gjyqtarë që në të gjitha Rastet kanë votuar pro Ramës. Ky është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese merr vendim dhe këta gjyqtarë “kundër” Ramës.
Pse ka ndodhur kjo? Në rastin më të mirë them unë Rama ka qenë indeferent. Me gjithë këto halle që i kanë rënë mbi kokë, jo Belinda, drejtuese e fushatës po e heton SPAK, në sondazhe nuk është aq favorit, raporti i OSBE-ODIHR. Ka pasur disa probleme që si të bëheshin si të mos bëheshin Ramës nuk i interesonte shumë. Në rastin më ekstrem që mund të ishte rasti i keq i ka interesuar t’i anulojë. Mund të mos i bënte, por ka qenë tjetër situatë kur i dekretoi dhe është tjetër situatë sot ku gjendet Rama. Rama nuk është sot siç ka qenë para një muaji kur dekretoi zgjedhjet sepse nuk ka pasur sondazhe për kandidatët. Zonja Balluku drejtuese e fushatës për Tiranën nuk ka qenë e pandehur. Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim profesional të drejtë, por jo një vendim për t’u duartrokitur sepse nuk është vendim me integritet. Këta gjyqtarë për shembull kanë votuar për të shkurtuar mandatin e njëri-tjetrit në mënyrë të paligjshme. Është një vendim që nuk i jep integritet gjykatës”, tha Shkullaku.
Sipas Shkullakut, Ramës i interesonte që të mos zhvilloheshin zgjedhjet pasi nëse rezultati do ishte më i ngushtë se ai i Veliajt, do të ishte një vërtetim i raportit të OSBE-ODIHR. Gjithsesi për Shkullakun, tashmë ka rëndësi reagimi i Veliajt.
“Do shohim nëse Veliaj nesër do bëjë atë që bëri një herë dhe Rama ia ktheu për 24 minuta, që të emërojë për kryetarë bashkie atë që do vetë dhe jo atë që do Rama”, tha ai në “Opinion”.
	    	
		    













