Policia e Shkodrës ka gjetur dhe asgjësuar 2943 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Sipas uniformave blu mësohet se janë proceduar penalisht 2 roje mjedisi, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në territorin e njësive administrative Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 735 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Gruemirë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe asgjësuan 1631 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Për këto raste u proceduan për shpërdorim detyre:
V. P., roje pyjesh
A. K., roje e zonave të mbrojtura
Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës asgjësuan 139 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në territorin e njësive administrative Luf-Qerret dhe Gjegjan, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë asgjësuan 438 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të paligjshëm”, njofton policia.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër./Opinion.al