Gjenden dhe asgjësohen 3126 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në Shkodër. Vijon operacioni i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Kështu, policia ka proceduar penalisht për shpërdorim të detyrave, 2 kryetarë fshatrash dhe 1 rojë mjedisi.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
-Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 922 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Oblikë, shtetasin S. P.;
-Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1034 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Selcë, shtetasin A. D., dhe për rojën e mjedisit, shtetasin P. G.;
-Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1170 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.