Një operacion i përbashkët i autoriteteve të gjashtë vendeve europiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.
Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale bën të ditur se në total, janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 ambiente, ku u sekuestruan më shumë se 3 000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro.
Vlera e përgjithshme e objekteve të vjedhura që dyshohet se janë trafikuar nga grupi kap shifrën e 870 milionë eurove.
Në operacionin e zhvilluar më 19 nëntor, u përfshi edhe Shqipëria, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet europiane për zbatimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrolle u kryen paralelisht në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.
“Më 19 nëntor, veprimet u koordinuan nga Eurojust në Hagë. Në Bullgari, u arrestuan 35 të dyshuar dhe u kontrolluan 120 vende. Kontrolle të tjera u zhvilluan në Francë, Gjermani, Greqi dhe Shqipëri. Autoritetet sekuestruan mbi 3 000 objekte, të tilla si monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. U sekuestruan gjithashtu dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 000 dollarë në para të gatshme dhe ar për investime”, thuhet në faqen online të EUROJUST.
Hetimet kishin nisur pas zbulimit në vitin 2020 në Bullgari të mbi 7 000 artefakteve të lashta, të dyshuara të vjedhura nga gërmime të paligjshme. Grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjen e objekteve të vjetra kulturore, përfshirë maska, bizhuteri, armatura, monedha ari e argjendi, si dhe vepra arti, të cilat më pas trafikoheshin nëpërmjet një rrjeti të gjerë ndërkombëtar.
Mes të arrestuarve është edhe një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se financonte gërmime të paligjshme dhe kishte ngritur rrjete trafiku që shtriheshin në disa vende.
Operacioni vijon, ndërsa artefaktet e sekuestruara do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar origjinën dhe vendin e tyre të ligjshëm. Autoritetet europiane njoftuan se hetimet do të zgjerohen edhe më tej për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe rrugët e trafikut që mund të përfshijnë vende të tjera të rajonit.














