Policia ka arrestuar në flagrancë një 61-vjeçar, i cili ishte duke shitur celularë dhe aksesorë të kontrabanduar në Sarandë.
Uniformat blu kanë sekuestruar 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.
“Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës së mallrave, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ka goditur një rast të shitjes së mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi:
B. Ç., 61 vjeç, banues në Finiq, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Ky shtetas u kap në lagjen nr. 2, Sarandë, duke shitur celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 134 aparatë celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme”, njofton policia.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.