Dy persona nga Elbasani kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi merreshin me shpërndarje të kokainës në doza.
Gjatë kontrollit të kryer në makinën tip ‘Fiat’ që ata lëviznin dhe banesën ku rrinin në Vuno, blutë sekuestruan 46 doza kokainë gati për shitje, një peshore elektronike, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tre aparate celularë.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe kontrollet e vazhdueshme me fokus goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ëave”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
E. U., 46 vjeç, dhe S. M., 46 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Fiat”, me të cilin lëviznin këta shtetas, dhe më pas në banesën që kishin në përdorim në fshatin Vuno, Himarë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 46 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, një peshore elektronike, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tre aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

















