Kallëzim penal për ish-shefen e Interforcës në Tiranë, Anna Poggi dhe botuesin Carlo Bollino, të gazetës “Shqiptarja.com”, pasi pretendohet se kanë falsifikuar dokumente.
Padia është bërë në prokurori, në nëntorin e vitit të shkuar, nga Dritan Zagani. Prokuroria e Përgjithshme ka vënë në dijeni Zaganin se e ka marrë denoncimin e tij dhe ka nisur investigimin hetimor.
Denoncuesi pretendon se është konsumuar vepra penale “Falsifikim i dokumenteve (duke paraqitur rrethana të rreme) kryer në bashkëpunim, i bërë nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal. Anna Poggi dhe Carlo Bollino në bashkëpunim kanë gënjyer dhe nuk thonë të vërtetën, duke kërkuar të denigrojnë personin tim”, thotë kallëzuesi.
Dritan Zagani kërkon nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ndjekjen penale të këtyre personave. Ai deklaron se janë falsifikuar dokumente për të ngritur pretendime të paqena në ngarkim të tij.
KORRESPONDENCA
Ka shërbyer si shkak dalja në shtyp e një dokumenti, përgjigje e zyrës së Interforcës për Prokurorinë për Krime të rënda, i cili pretendohet se është në dosjen e akuzës, por nuk është vënë në dispozicion të të akuzuarit, as të avokatit mbrojtës të tij.
Në dosje thuhet se ka dokumente si: “Përgjigje e ardhur nga Zyra Ndërlidhëse e Policisë Italiane në Tiranë, INTERFORZA, datë 04.02.2014, me numër reference, UCI/ALB/R001/20144/PA.
Kjo përgjigje dhe shkresat referuar kësaj përgjigjeje, që janë korrespondenca mes Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Zyrës së Interforcës në Tiranë nuk gjenden në dosjen që ka mbrojtja dhe i akuzuari, madje i janë refuzuar t’i vihen në dispozicion pas kërkesave të përsëritura. A është ky material referues në dosjet e akuzës? A është ai gjithashtu në regjistrat e zyrës italiane të ndërlidhjes me policinë?
PRETENDIMI
Dritan Zagani sipas prokurorisë, referuar kësaj shkrese të dalë në shtyp, por të munguar në dosje e të pabërë prezent në procesin gjyqësor, akuzohet se ka marrë para në këmbim të dhënies së informacionit për Guardia di Finanza, përfaqësuesit të saj Alesandro Giuliani.
Në asnjë rast për këtë pretendim nuk janë marrë në pyetje nga prokuroria as Zagani dhe as Giuliani, për gjashtë muaj e tetë ditë të qëndrimit në qeli të oficerit shqiptar të Antidrogës.
Ish-shefi sektorit të Antidrogës së Fierit pretendon se është Poggi, burimi i këtij informacioni, falsifikimi dokumentacioni dhe paraqitja e rrethanave të rreme. Prokuroria e Tiranës urdhërohet për verifikim
Prokuroria e Përgjithshme i ka konfirmuar Zaganit marrjen e kallëzimit dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës nisjen e verifikimeve.
Në një shkresë dërguar Prokurorisë së Tiranës, ndër të tjera thuhet: “I nderuar drejtues i prokurorisë. Në Prokurorinë e Përgjithshme është depozituar kallëzimi penal, bërë nga shtetasi Dritan Zagani, ndaj shtetasve Anna Poggi dhe Carlo Bollino, për kryerjen e veprës penale falsifikim i dokumenteve, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
Në lidhje me këtë kallëzim penal, kërkojmë nga ana juaj që të kryhen verifikimet përkatëse si dhe në përfundim të tyre, nëse janë kushtet, të regjistrohet procedimi penal.
Për sa më sipër, bashkëlidhur me këtë shkresë, ju dërgojmë për kompetencë të shqyrtimit ligjor kallëzimin e paraqitur nga shtetasi Dritan Zagani dhe në përfundim të verifikimeve të merren masa nga na juaj, për njoftim të kallëzuesit”.
KALLEZIM PER FILLIMIN E PROCEDIMIT PENAL
Në ngarkim të shtetasve:
1 – Anna Poggi
(Zyra e Interforcës italiane, Tiranë.)
Direzione Centrale della Polizia Criminale.
Servizioper la Cooperazione Internazionale di Polizia.
Interpol – Unita Nazionale Si.Re.N.E.
Via.Torre di Mezzavia 9/121
Cap.00173 – Roma
ITALIA
2 – Carlo Bollino
Gazeta “Shqiptarja.com”
TIRANE
Vepra penale: Falsifikim i dokumenteve (duke paraqitur rrethana të rreme) kryer në bashkëpunim, i bërë nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
Baza ligjore: Neni 283 etj., të Kodit të Procedurës Penale.
Drejtuar, zotit Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm, Tiranë.
Duke iu referuar një shkrimi të botuar nga gazeta “Shqiptarja.com” të datës 13.11.2015, me titull, “Çështja ‘Zagani’, historia e vërtetë e Anna Poggit”. Krahas të tjerave në adresën time thuhet:
“Deri 3000 euro çdo gomone e sinjalizuar”
Deri në këtë kohë Anna Poggi nuk ka pasur asnjë marrëdhënie as me Zaganin dhe as me Giulianin. Zagani ishte drejtor i Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Fierit dhe kështu nuk komunikon dhe nuk ka kontakte me Interpolin.
Giuliani ishte një nënoficer i Guardia di Finanza, që ka punuar disa vite më parë në Shqipëri pranë bazës së Guardia di Finanza në Durrës dhe ka të ngjarë që në atë kohë të ketë krijuar njohje me kolegun Zagani.
Kur është kthyer në Itali, Giuliani ka vazhduar të merret me hetime antidrogë për llogari të “zyrës” të Guardia di Finanza, që konsiderohen si “shërbimet sekrete” të kësaj trupe policore.
Siç ndodh shpesh, mund të jetë autorizuar nga shefat e tij të paguajë informatorët e vet për të marrë lajme që i lejonin të mësonte për ngarkesa droge të ardhura nga Shqipëria.
Oficeri i policisë Zagani ishte për Giulianin një informator dhe si i tillë paguhej, me siguri me një autorizim të rregullt të komandës italiane. Shuma që varionin nga 2000 në 3000 euro për çdo informacion, që Giuliani ia paguante ose në kesh, ose përmes ‘Western Union’.
Disa herë informacionet e Zaganit ishin të sakta dhe falë këtyre informacioneve që tregonin nisjen e një gomoneje të ngarkuar me drogë drejt Puljas, Guardia di Finanza arrinte të kapte gomonen e sapo zbarkuar në brigjet italiane. Herë të tjera, siç rezulton nga përgjimet telefonike në dorë të Prokurorisë shqiptare, informacionet ishin të gabuara dhe Guardia di Finanza kur mbërrinte në vendin e sinjalizuar nga Zagani, nuk gjente asgjë”.
Si dhe më poshtë vijon:
“Edhe Zagani, viktimë e politikës?”
Ndërsa pozicioni i Zaganit mbetet më pak i qartë. Një polic që pranon para nga një vend i huaj për të kaluar informacione për drogën, nuk është e thënë se është i korruptuar, por është e ekzagjeruar ta prezantosh si hero. Në deklaratat e tij për media ka shpjeguar se vendosi t’u kalojë informacione italianëve, sepse kolegët e tij ishin të përfshirë në trafikim dhe nuk do të vepronin.
Mund të jetë e vërtetë, por përse nuk kalonte informacione pa kërkuar dhe para si këmbim?
Sipas prokurorisë, Zagani ka marrë nga kolegu i tij italian të paktën 6000 euro të paguara në tri raste të ndryshme.
Formalisht Zagani do të duhej t’ia transferonte paratë informatorit të tij shqiptar, por sipas prokurorisë, këtë e ka bërë vetëm një herë. Në dy rastet e tjera paratë i ka mbajtur për vete.
Moskalimi i lajmeve të marra nga informatori kolegëve shqiptarë dhe zbulimi i drogës vetëm kur kishte mbërritur në Itali, sipas prokurorisë (dhe sipas kolegëve të tij policë) mund të ishte një mënyrë për të diskretituar policinë shqiptare dhe për të treguar mungesën e efikasitetit të saj.
Pra, një veprim i sugjeruar ndoshta edhe nga arsye politike dhe pjesërisht i konfirmuar nga sjellja politikisht shumë agresive e mbajtur nga Dritan Zagani pas largimit të tij jashtë si dhe akuzat e tij, drejtuar ministrit të Brendshëm.
Pas ndryshimit të qeverisë, opozita ka akuzuar shumë herë policinë pikërisht kur droga zbulohej në Itali dhe jo në brigjet shqiptare: Zagani ishte pjesë e kësaj strategjie? Apo edhe ai është vetëm viktima e tretë, pas Giulianit dhe Poggit, e një lufte politike që të tjerë luajnë në kurriz të tyre?”.
Nisur sa sipër zoti prokuror, ju sqaroj se këto thënie në adresë të personit tim, që i atribuohen nga ana e gazetës pronë e shtetasit italian, Carlo Bollino, shtetases italiane tashmë edhe me shtetësi shqiptare, zonjës Anna Poggi, janë plotësisht të pavërteta dhe dashakeqe ndaj personit tim.
E them këtë, pasi unë në karrierën time policore, asnjëherë nuk kam qenë dhe nuk jam bashkëpunëtor i ndonjë policie apo zyre informative të asnjë shteti, si dhe nuk kam qenë i paguar për asnjë rast për dhënie informacioni si bashkëpunëtor apo ndonjë formë tjetër lidhjeje dhe për këtë kam prova që vërtetojnë thëniet e mia, ku provë e gjallë është edhe shtetasi italian, Alessandro Giuliani, i cili deklaron dhe provon të kundërtën e këtyre thënieve, të cilin e kam njohur falë bashkëpunimit tim në kohën kur mbuloja detyrën e shefit të Hetimit në D.R.K.M Vlorë në periudhën 20112012 dhe me të cilin kam ruajtur një raport miqësie edhe familjare.
Dhe këtë e bazoj edhe në punën dashakeqëse të bërë nga Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë dhe pikërisht të prokuror Anton Martinit, i cili ka hedhur i pari dyshimet që unë të isha një bashkëpunëtor i paguar, por që asnjëherë nuk u vërtetua me prova, pasi as unë nuk u pyeta për 6 muaj e 8 ditë, që u mbajta në arrest edhe jashtë afateve për ketë fakt (duke shkelur rëndë ligjet e shtetit shqiptar), si dhe as kolegu im nuk është marrë asnjëherë në pyetje për vërtetësinë e këtyre pretendimeve, që së fundmi thuhen publikisht nga zonja Poggi në cilësinë e funksionares se shtetit italian me ndihmën e zotit Bollino, nëpërmjet gazetës pronë e tij, duke kërkuar denigrimin e figurës sime, për të anashkaluar shkeljet e bëra nga ana e zonjës Poggi në funksion të procedimit në ngarkimin tim.
Gjithashtu, zoti prokuror, dua të sqaroj edhe një rrethanë, e cila hedh dyshime me keqdashje mbi personin tim lidhur me këtë fakt, që është një rast i vetëm të tërheqjes nga ana ime të një shume prej një mijë euro nëpërmjet agjencisë “Western Union”, ku miku im më kërkon që për rrethana personale t’i kryeja një derdhje, të merrja shumën e përmendur, e t’ia jepja një mikut tonë të përbashkët, për arsye familjare, në formën e borxhit që ai do t’i jepte.
Dhe në pamundësi t’ia jepte, ndryshe më kërkon ta bëj unë për llogari të tij veprim. Ky që është lehtësisht i provuar edhe nga përgjimet e mia telefonike të bëra nga Prokuroria për Krime të Rënda, si dhe nga deklarimet e personit të tretë që unë i kam dhënë shumën në fjalë, si dhe vetë miku im Giuliani, i cili siç thashë, asnjëherë nuk është pyetur me keqdashje për vërtetësinë e këtij fakti, fakte këto, që më pas transformohen dhe shtohen me keqdashje për të denigruar personin tim nga këta shtetas të lartpërmendur për gjëra totalisht imagjinare dhe të paprovuara nga askush, ndërkohë që faktet e gjallë siç ua citova më lart, nuk merren fare parasysh, por vazhdohet duke u bërë edhe publike të pavërtetat e mësipërme.
Në këto rrethana dhe në bazë të dispozitave ligjore të cituara më lart, kërkoj të nisë procedimi penal për shtetasit Anna Poggi dhe Carlo Bollino etj., për veprën penale të parashikuar nga neni 186 pika 3 të Kodit Penal.
KALLEZUESI
Dritan Zagani
DATA 15.11.2015
Adresa, Lagja “Bashkimi” Vlorë
(pallati “Nestit” pranë stacionit të trenit)
Tel. 033 409 421
Cel. 0692216673
Shënim: Për arsye të sigurisë së familjes nuk mund të deklaroj vendndodhjen.