Policia e Durrësit ka reaguar pas një videoje të bërë virale në rrjetet sociale, ku shihen disa të rinj që konfliktohen me njëri-tjetrin pranë një shkolle të Shkozetit.
Uniformat blu bëjnë me dije se nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. Sh., 17 vjeç dhe A. Ç., 17 vjeç, pasi për motive të dobëta, kanë dhunuar një shtetas 15 vjeç.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas publikimit të videos, kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e implikuar në këtë rast.
Në përfundim të këtyre veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje, kryer në bashkëpunim, për shtetasit M. Sh., 17 vjeç dhe A. Ç., 17 vjeç, të dy banues në fshatin Rreth Shijak, pasi për motive të dobëta, kanë dhunuar një shtetas 15 vjeç”, njofton policia./Opinion.al