Përplasja fizike që ndodhi mes presidentit të Laçit Pashk Laska dhe atij të Tiranës Refik Halili ishte një nga incidentet më të rënda të viteve të fundit në futboll. Të dy kanë ngritur padi ndaj njëri-tjetrit dhe kanë bërë kallëzime për dhunë fizike.
Por drejtori i klubit të Laçit, Naim Halili, mohon të ketë qenë diçka e planifikuar. Për “Panorama Sport” ai thotë se ka qenë një rastësi fatale përballja e tyre pas ndeshjes në rrethrrotullimin e Doganës dhe pasi kanë shkëmbyer fjalë, situata ka degjeneruar në dhunë fizike.
“E vërteta është që Laska dhe Halili kanë rastisur në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë. Ka qenë thjesht një koincidencë fatkeqe. Aty më pas ka nisur një debat verbal dhe gjërat kanë precipituar disi. Por nuk ka qenë e planifikuar dhe nuk mund të thuhet se e kemi pritur keq Tiranën në atë ndeshje. Gjithçka shkoi mirë”, ka thënë drejtori i Laçit për gazetën “Panorama Sport”./Opinion.al