Një konflikt mes dy fqinjëve në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri, arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një kallashnikovi, municioneve luftarake dhe katër kallëpeve me lëndë të dyshuar plasëse tritol.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 25 qershorit, ku për motive të dobëta dyshohet se shtetasit me iniciale N. L., 63 vjeç, dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”, u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe qëlluan me armë zjarri për t’u kanosur.
Si pasojë e të shtënave u dëmtuan porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit, si dhe një automjet i parkuar në oborr.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, në banesën e N. L. u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Ndërsa në banesën e A. F. u sekuestruan municion luftarak dhe katër kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol.

















