Nga Reldar Dedaj
Ka patur dhe vazhdon të ketë dy mendime krejtësisht të kundërta për drejtësinë. Njëri i vjetër, pakëz naiv, që beson se drejtësia, ashtu si të gjitha pushtetet, do vijë koha dhe do bëjë mrekullira për vendin; mendimi tjetër, me këmbë në tokë, rrjedhimisht aspak naiv, se drejtësia dhe pushteti nuk i shërbejnë askujt, veç vetvetes.
Për ironi të fatit, sikur për të mos mjaftuar e gjithë kjo, s’do t’a besonim se do t’i përkisnim Shqipërisë, nëse gjatë rrjedhës së historisë, nuk do të ishim kaq të mërzitur. Po mërzisë tonë i mungon durimi. Është mërzitja e hipokrizisë. Është nga lodhja e gjërave të kuptuara.
Kjo ndodh, gjithmonë, në rastin kur tallja me të pafuqishmin është fakt. Në të njëjtën kohë është edhe revolt ndaj kësaj pafuqie.
A nuk është pikërisht kështu, kur vëmendja shkon edhe njëherë tjetër tek aksidenti i ndodhur në Golem të shtunën pasdite?
Një nënë e re që udhëtonte në makinë me tre fëmijët e saj të mitur, u aksidentua dhe prej tyre mbeten të vdekur dy fëmijët, Alice 3 vjeç dhe Dritani 5 vjeç.
Si gjithmonë, në të tilla raste, ndodh ajo që s’duhet të ndodhë. Papërgjegjshmëria.
Opinion.al zbardhi paraditen e sotme një vendim të gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ku i jepte të drejtë karburantit të heqë barrierat mbrojtëse në rrugë. Vendimi mban datën 29 Mars, 2011-të. Siç dihet, mungesa e këtyre barrierave, çoi në aksidentin tragjik të familjes Negollari nga Kavaja.
Megjithatë, surprizat nuk kanë ndërmend të mbarojnë këtu, tre vite më pas, pikërisht në vitin 2014-të, Gjykata e Apelit Administrativ rrëzoi gjykatën e Shkallës së Parë. E thënë më thjeshtë, Apeli lejoi të vendosen barrierat në rrugë, por Autoriteti Rrugor i drejtuar nga Dashamir Xhika nuk e ka zbatuar këtë vendim të gjykatës së Apelit të dhënë me vendim të formës së prerë.
Xhika, në këtë rast, pushteti, ka favorizuar pronarin e karburantit, djali i të cilit është drejtor kabineti në Ministrinë e Transporteve, po i llojit t’vet, i pushtetit.
Në të dy këto mendime, në pamje të parë, të duket se e vërteta dhe e pavërteta janë të përziera, megjithatë, disa prej nesh, për çudi; besojnë tek mrekullia. Në qoftë se e besojmë idenë se një ditë kjo do të ndodhë; pra, në mos sot, nesër, në mos nesër, pasnesër, kemi pranuar faktin se vdekjen se mbulon dot as dheu.
Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse fakti të çon zakonisht në konflikt, duam apo s’duam do të pranojmë se midis këtij fakti, drejtësisë dhe pushtetit, do të ketë konflikt.
Dhe konflikt s’ka. As të shpallur, as të pashpallur.
Asgjë s’leviz. Asgjë!
Por nuk duhet harruar, se vdekja e Alices dhe Dritanit, nuk do jenë asgjë tjetër veçse herë-herë heshta kërcënuese e herë si vegla torture për ndërgjegjet e rënduara nga krimi.
Mirëpo, drejtësia s’po ndodh! S’po ndodh as mrekullia e pritur.
Drejtësia vazhdon t’u bindet ligjeve të saj. Të jetë shpërfillëse ndaj kohës. Dhe këtu zë fill kontradikta. Madje edhe vetë vdekja e disa personave është krejtësisht e pafuqishme ta prishë këtë rregull.
Liria e individit, nëse nuk është mit dhe ekzsiton, gjëja më sublime në botë, është e aftë të ndryshojë gjithçka, përveç apatisë njerëzore. Shoqëria është në gjumë të thellë, madje vrastar.
Ndoshta, edhe është e bindur thellë në vetvete se padrejtësia ka fituar qysh në krye të herës peshën e saj, vendin e nderit në këtë histori. Është ajo e para që zbuloi atë që ngjante e pazbulueshme: shqyrtimin, vrasjen e ndërgjegjes…
…dhe historia e drejtësisë nis pikërisht nga aty. Asgjëkund tjetër!/Opinion.al