TIRANE- Studiuesi Agim Musta duke folur per historine e perdhunimeve ne kohen e kominizmit ka thene per gazeten ‘Mapo’ se kane ekzistuar perdhunimet por madje edhe shtepi ku kryheshin orgji nga hetuesit.
Është çështje tabu, të pathëna me zë të lartë si tani, për abuzimet mbi gratë në diktaturë. Po flitet dendur për përdhunimin e tyre, ndërsa më rrallë është folur për torturat dhe abuzimet e grave të dënuara. Besojmë se janë dy anë për t’u sqaruar?!
Duhet të sqarojmë se fenomeni i persekutimit të grave është me vete, dhe historia e Alida Hiskut është e trilluar, përderisa u vërtetua katërcipërisht se nuk ka qenë në burg. Atëherë, pse mos ta injorojmë këtë furtunë në gotë. Gjatë kohës së diktaturës komuniste gratë kanë qenë të persekutuara. Ky persekutim ndahej në dy anë: persekutim me dënime penale, me internime, me dëbime; dhe persekutim me punë të rënda, me papunësi, me mungesën e dhënies të së drejtës për studime etj., etj. Pra, duhet të bëjmë njëfarë ndarjeje, pavarësisht se diktatori thoshte se Shqipëria është një vend që gëzon të gjitha të drejtat, sidomos gruaja shqiptare. Në të vërtetë, gruaja shqiptare ka qenë shumë e prapambetur. Por,ky emancipim që iu bë gruas duke pësuar në kurriz të saj një persekutim qoftë moral, politik, financiar etj. Kështu gjatë regjimit komunist, ne mund ta marrim që nga fillimi i partisë komuniste, sipas statistikave jo të sakta, por afërsisht, janë ekzekutuar e vrarë gjatë luftës 400 gra shqiptare. Një pjesë të tyre i kam shkruar tek libri “Gjëma e Komunizmit”. Por ato që kanë qenë simbol, me të vërtetë antikomuniste dhe kanë luftuar për të drejtën e gruas shqiptare kanë qenë të pakta. Përmendet Musine Kokalari, e cila është simbol madje edhe për Evropën Lindore. Është e vetmja grua në Shqipëri dhe në Evropën Lindore që ka vuajtur 38 vjet burg.
Çështja e grave të përdhunuara në diktaturë po krijon një kakofoni, dhe është shndërruar në fenomen, sa të vërteta mendoni se ka në këtë mes?
Ka vetëm një të vërtetë pasi terrori komunist, e sidomos metodat që përdorte sigurimi i shtetit nuk kishin kufij. Ata kishin autorizim të plotë për të përdorur metoda kundër të ashtuquajturve armiqve të popullit. Por të jemi të saktë, dhe të vërtetë, nuk ishte një dukuri e përhapur për t’u bërë një fenomen aktual, se mund të kenë ekzistuar. Këto kanë qenë raste shumë të rralla.
Pse i konsideroni raste të rralla, bëhet fjalë në hetuesi apo burgje?
Sepse në burgje, në hetuesi e prokurori kishte vigjilencë të madhe, midis edhe vetë njëri- tjetrit. Çdo gjë që bëhej raportohej. Madje edhe të burgosurit kishin të drejtë të shkruanin letër për hetuesit pa u censuruar nga komanda e kampit, e burgut ose hetuesisë. Pra, kishin frikë që po ta merrnin vesh, për arsyet e tyre që të ruanin sekretin, i dënonin madje edhe rëndë. Si fenomen sigurisht nuk mund ta përjashtoj. Unë kam këto shembuj: Zhaneta Agronaj, mësuese poete, e arrestojnë duke e dënuar me 10 vjet, dhe nga torturat del e çmendur nga burgu. Është një tjetër, gazetare, Bianka Balliçi, nga Austria, e martuar me një shqiptar, nga torturat u çmend edhe ajo.
Pra, ju jeni me tezën se nuk ka ekzistuar përdhunimi në hetuesi, por ka pasur vetëm tortura ndaj femrave. Mund të na përmendni ç’lloj torturash ishin?
Jo, jo si fenomen nuk ka qenë përdhunimi në hetuesi. Torturat po, ato ishin të rënda për femrat. Së pari, ato ishin të një natyre që preknin personalitetin e saj. Gjuha e hetuesit ishte mjaft denigruese për ta ulur personalitetin e saj, me falni për shprehjen, i quanin: kurvë, putanë…çfarë nuk i thoshin asaj në hetuesi. Nuk përjashtohej dënimi fizik duke qëlluar me pëllëmbë, duke i futur në fuçi në ujë me akuj, dhe shumë tortura të tjera mjaft të rënda për to.
Ju keni qenë i dënuar, dhe keni një përvojë të gjatë burgu, studiues më produktiv të atij sistemi dhe mjaft i kujdesshëm sa i takon terrorit komunist. Në librin e fundit “Gjëma e komunizmit”, keni dhënë një statistikë se janë përdorur 20 lloj torturash nga hetuesia. Por, aty siç konkludohet edhe prej të tjerëve, nuk përmenden përdhunimet ndaj grave, pse?
Është e vërtetë, nuk e kam përmend këtë aspekt. Kjo sepse nuk kam pasur të dhëna mbi përdhunimin e grave, të paktën nga kontaktimet me gratë e burgosura pas ’90-ës, si Marie Medicina që ka vuajtur 18 vjet burg, por edhe me shumë gra të tjera të dënuara. Nga këto gra nuk kam marrë në asnjë rast, asnjë denoncim për përdhunimin seksual. Por, nuk mund të them, se absolutisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mund të ketë ndodhur por në raste të rralla, dhe këto mund t’i kenë bërë vetëm shefat e sigurimit, që kishin kompetenca të plota. Madje edhe këta, logjikisht, nuk i bënin këto nëpër burgje, por kishin shtëpi sekrete. Madje edhe femrat të cilat nuk ishin të burgosura i çonin atje.
Ka raste?
Po, ishte një llogaritare e cila kishte pasur probleme me financat. Atëherë dënoheshe për vjedhje nga 5 deri me vdekje, nga 30 mijë lekë deri në 7 mijë lekë të vjetra. Në rastin që po ju tregoj shefi i Sigurimit i ka thënë me këtë abuzim që ke bërë, për ta mbyllur si çështje duhej t’i nënshtroheshin atij. Raste të tilla ka patur, shënoheshin. Sidomos kjo ishte për femrat e bukura. Por këtë e bënin vetëm shefat e sigurimit, më i njohur ka qenë Nevzat Hasnedari. Nga ai kam një “kujtim” me tehun e një rigë që më ka qëlluar në kokë, në ballë, në hetuesi (tregon shenjën).Ai ishte specialist i madh për torturat. Madje e çuan të specializohej në Kinë, por kinezët mbetën gojë hapur. “Të mësojmë ne nga ti”, – i thanë ata, duke i dhënë edhe një libër të vjetër me torturat që përdoreshin në Kinë, 3 mijë vjet përpara.
Pra ju thoni se, sa i përket të dënuarve nuk ka pasur raste, ndërsa viktima të përdhunimit ishin femrat e bukura, ose shantazhe ndaj femrave që mund të kishin probleme në punë ose profesione?
Në një emision televiziv isha unë, Hasan Luci dhe Maks Velo, ky i fundit, i drejtohet: Më thoni pse më arrestuan mua, unë isha njeri apolitik dhe shikoja punën time?! Ai i përgjigjet, se duhej parë dosja. Velo nguli këmbë, se Hasani duhej ta dinte, pse e kishin dënuar. Ja tregova unë arsyen, pse e futën në burg Maks Velon, sepse ai ishte jashtë kohës, me flokët lyer me brilantinë, me xhaketat ngjyra-ngjyra, kishte dhe një të dashur të bukur…kështu për ta eliminuar Maksin, morën mjaft lehtë dy dëshmitarë, e bënë dosjen dhe e dënuan 7 vjet për agjitacion e propagandë. Ja kjo është i thashë Maks Velos, që me siguri e di, po s’ka dashur ta thotë.
Kjo do të thotë se ka raste të tjera që janë dënuar djem se ishin modern, a për shkak se kanë pasur të dashurën, të fejuarën apo gruan e bukur?
Ka ndodhur edhe kjo. Ka pasur raste të rralla por ka ndodhur, e them me bindje. Për shembull Lluk Kaça, baritoni i famshëm, e dënuan me burg. Ai ishte njeri krejtësisht apolitik, mbaruar në Moskë. Ai kishte një grua shumë të bukur. Kështu për ta eliminuar e dënuan, i bënë dosjen.
A konsiderohet ky kontingjent, të persekutuar politikë?
Këta janë të persekutuar politikë sepse bënë burg me akuza politike; agjitacion e propagandë, arratisje, komplote etj. Ja për shembull, mua më akuzuan se isha së bashku me Pjetër Arbnorin, se donim të përmbysnim pushtetin popullor.
Kjo ishte akuzë e stisur nga hetuesia, por nuk përkonte me veprimtarinë reale kundër politikës së Hoxhës?
Jo, sigurisht që jo.
A është moment për ta sqaruar këtë fenomen?
Them se nuk ishte fenomen i përhapur. Ishte shumë i kufizuar, kështu nuk ka nevojë për ta sqaruar, se nuk ja vlen barra qiranë. Ka shumë momente të tjera për t’u sqaruar në këtë aspekt, sidomos për gratë që janë torturuar në punë, me 12 orë.
Cilat ishin rastet e tjera ku shfrytëzoheshin dhe abuzohej me gratë në diktaturë?
Po ka pasur raste që gratë torturoheshin në punë të rëndë, duke kaluar 12 orë në punë. Kishte sigurisht dhe raste të tjera më pak të kontrolluara siç ishin kampet e internimit ku abuzohej realisht ndaj femrave. Por që, e dinin se nuk kishte ndonjë reaksion ndaj saj, apo ndaj hetuesve. Por dhe këto raste ishin të rralla. Mentaliteti ynë shoqëror, e quan mëkat të madh ndaj saj.Ajo është viktimë edhe shumë nga ato, të rralla ishin që kanë deklaruar. Ato nuk guxojnë të flasin as tani pas 25 viteve. As mos të presë njeri se, ato do mund të denoncojnë për përdhunimet.
Si rekrutoheshin gratë si spiune?
Targeti i parë, të cilëve iu drejtoheshin ishin familjet e persekutuarve, këtyre iu bëhej presion i madh. Po ashtu shenjestroheshin edhe gratë e bukura, të cilat ishin dhe pak të lëvizshme, të cilat nuk e kishin për gjë të kishin lidhje erotike me shefat e sigurimit, ndonëse të rralla; ishin gratë e ndershme dhe shumë të mira, të cilat i çonin për internime vetëm për një shkak, se mund të ishte arratisur vëllai apo ndonjë i afërm; po ashtu shfrytëzonin femrat që ishin nëpunëse por bënin abuzime. Për këto kishin disa shtëpi sekrete, ku iu bëhej shantazh.
Si iu bëhej shantazhi apo kërcënimi, nga kush?
Shantazhet ishin të formave të ndryshme, shumë të sofistikuara. Ja për shembull, iu bëhej shantazh me pushime nga puna, mosdhënia e të drejtës së studimit fëmijëve të tyre. Diktatura kishte mjete e shantazhe të jashtëzakonshme, të paimagjinueshme. Në Shqipëri janë përdorur metodat më të këqija, të gjitha.
Ju folët për shtëpitë sekrete, s’ka dijeni për to, ç’ishin?
Nuk flitej për to, por njerëzit e atyre zonave e dinin ekzistencën e tyre. Nga investigimet që kam bërë në burg dhe jashtë i kam verifikuar praninë e tyre. Shtëpi sekrete kishte në Krujë, në Gjirokastër, në Tiranë ishin tre a katër shtëpi të tilla, në Shkodër etj. Në dijeni të tyre ishte vetëm nomenklatura e lartë, dhe shefat e Sigurimit. Madje hetuesit e zakonshëm, operativët nuk kishin idenë. Këto shtëpi përdoreshin për persona që vinin nga jashtë për të zbuluar qëllimin e ardhjes së tyre në Shqipëri. Përdoreshin për rekrutimin e agjentëve të sigurimit shqiptar për t’i dërguar jashtë shtetit. Instruktoheshin një muaj ose dy muaj. Ishin vende sekrete për të cilat nuk mbahej asnjë procesverbal nga hetuesitë që bëheshin atje. Në gjyqin e Kadri Hazbiut kanë dalë shumë horrllëqe se çfarë kanë bërë nëpër këto shtëpi sekrete. Kudo ku ishin vendosur drejtoritë e hetuesive kishte edhe shtëpi sekrete. Aty bëhej edhe hetuesia. Edhe në pallatin e brigadave, poshtë, ka pasur biruca. Shumë oficerë grekë, shqiptarë nga Kosova, dhe Maqedonia kalonin në ato hetuesi. Edhe në Marikaj, ishte një shtëpi sekrete në mes të një pylli, vilë e Toptanasve, aty bëheshin edhe orgjira nga të lartët.
Përdoreshin këto shtëpi sekrete për të abuzuar seksualisht me femrat, sidomos nga shefat e lartë? Ka denoncime se çfarë ndodhte aty?
Po, kishte raste. Me të dëgjuara e kam se aty shkonin për orgjira, ku merrnin vajza të bukura ose që nuk ishin të arrestuara. Por dërgonin dhe të dënuarat. Deri më sot, me sa di unë, nuk është bërë asnjë rrëfim për këtë shtëpi. Mendoj se frika dhe mentaliteti ynë ekziston akoma, që lidhet edhe me dinjitetin, ndaj nuk janë hapur këto.
A ka pasur për Sigurimin urdhra të fortë apo masa që të kishin kujdes për të mos kryer akte përdhunimi?
Po ka ekzistuar ky urdhër vetëm për hetuesit e zakonshëm, sidomos pas viteve ’50-të.
Ju thoni hetuesit e zakonshëm, po shefat në rangje të larta kanë pasur “liri”?
Sigurisht ata kishin dijeni, po kalonin në heshtje. Kemi rastin e Feçor Shehut, ai ishte zëvendësministër, ai kishte një femër që e kishte dashnore. Ajo ishte e lidhur me një portier të Dinamos. Feçori e merr vesh dhe vuri një njeri të tij, duke e vrarë në një bunker. Kur babai i portierit shkoi tek Enver Hoxha, ky iu përgjigj: epo gjëra të tilla ndodhin kudo!
Po, ata ishin përgjegjës, shefat. Por dijeninë e kishte edhe Enver Hoxha, pasi i mbante si fakte, për t’i kompromentuar.