SHBA ka urdhëruar Kinën të mbyllë konsullatën e saj në Hjuston të Teksasit, deri të premten, një veprim i cilësuar si “provokim politik” nga Pekini.
Departamenti i Shtetit i SHBA tha që vendimi ishte marrë “me qëllim të mbrojtjes së pronës intelektuale amerikane”.
Por zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Wang Wenbin tha që ishte “i egër dhe i pajustifikuar”.
Deklarata erdhi pasi individë të paidentifikuar u filmuan duke djegur letra në kazanët e oborrit të ndërtesës.
Tensionet janë rritur në mes të SHBA dhe Kinës. Administrata e Presidentit Donald Trump është përplasur në mënyrë të përsëritur me Pekinin mbi tregtinë dhe pandeminë e koronavirusit, si dhe imponimin e Kinës për një ligj të ri të diskutueshëm të sigurisë në Hong Kong
Të martën, departamenti i drejtësisë amerikane akuzoi Kinën për sponsorizimin e hakerave që synonin laboratorët që zhvillonin vaksina Covid-19, duke akuzuar dy shtetas kinezë që dyshohet se spiunonin kompanitë amerikane që bënin kërkime dhe morën ndihmë nga agjentët shtetërorë për vjedhje të tjera.
Kina u ka kërkuar SHBA që të rishqyrtojnë, duke thënë nëse insistojnë “të shkojnë në këtë rrugë të gabuar, Kina do të reagojë me kundërmasa të forta”. /Opinion.al