Autoritetet në Minnesota kanë shpallur në kërkim Vance Luther Boelter, 57 vjeç, një ish-anëtar i emëruar nga Guvernatori Tim Walz në vitin 2019, i dyshuar për sulmin ndaj politikanëve ditën e sotme.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Sipas raportimeve, sulmuesi që besohet se ishte i maskuar si oficer policie, hyri në shtëpinë e senatorit John Hoffman dhe gruas së tij në Champlin, ku i qëlloi të dy duke i lënë në gjendje kritike.
Dy orë më vonë, sulmuesi shkoi në Brooklyn Park, ku vrau ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Melissa Hortman, dhe bashkëshortin e saj.
Policia konfirmoi se në një nga automjetet e dyshuara është gjetur një listë ‘objektivash’ me emra politikanësh, si dhe materiale propagandistike kundër Donald Trump, shkruan Daily Mail.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që sulmet të kenë qenë të motivuara politikisht dhe të lidhura me një protestë, e planifikuar për të njëjtën ditë me një paradë për ditëlindjen e Trump.
Pasi u përfshi në një shkëmbim zjarri me policinë, autori arriti të arratisej dhe ende është në kërkim. Policia ka bërë thirrje për vigjilencë të lartë dhe ka vendosur urdhër për qëndrim në shtëpi në zonat ku ndodhi sulmi.
Guvernatori Tim Walz reagoi menjëherë, duke e quajtur situatën “një akt të rëndë dhune kundër demokracisë” dhe ka aktivizuar Qendrën e Emergjencave të Shtetit. “Minnesota nuk do të tolerojë kurrë dhunën ndaj përfaqësuesve të saj të zgjedhur,” tha ai.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa ende nuk është e qartë nëse të sulmet janë kryer nga një person i vetëm apo ka edhe të përfshirë të tjerë.