Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Izraelit që të mos aneksojnë territore që i përkasin Palestinës. Ky paralajmërim ka ardhur në kuadër të planit të Presidentit Donald Trump për paqen.
“Mos aneksoni tokë palestineze pasi kjo dëmton planin e presidentit Donald Trump për paqe”, ishte paralajmërimi i ambasadorit amerikan për kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Reagimi i David Friedman erdhi pasi kreu i qeverisë izraelite prezantoi hartat e reja për të aneksuar territor të Palestinës, bazuar në planin e Trump. Por zgjidhja përfundimtare e ofruar nga Amerika është refuzuar gjerësisht nga Palestina, Bashkimi Europian dhe shumë shtete arabe.
Uashingtoni kërkon kohë për të mundësuar një mbështetje më të madhe politike për projektin e paqes në Lindjen e Mesme.
Netanjahu është në fushatë elektorale për zgjedhjet e 2 marsit, dhe kërkon ta përdorë këtë temë për pikë politike. Megjithatë, ai pranoi se nuk do të vendosë në rrezik planin e ofruar nga Donald Trump./ Opinion.al