Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan së fundmi planin e sulmit ndaj objektivave iraniane në Siri dhe Irak.
Sulmet pritet të fillojnë shumë shpejt, teksa nuk jepen detaje se sa do të zgjasin dhe cilat do të jenë objektivat kryesore.
Këto zhvillime vijnë si kundërpërgjigje e një sulmi me dron nga ana e militantëve të mbështetur nga Irani të dielën, nga i cili u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.
SHBA fajësoi një grup militantësh të mbështetur nga Irani për sulmin, i njohur me emrin Rezistenca Islamike në Irak, i cili trajnohet dhe armatoset nga forcat e Gardës Revolucionare.
Irani, ndërkohë, ka mohuar çdo rol në sulmin që plagosi 41 trupa të tjera amerikane në bazën ushtarake, të njohur si Kulla 22.
Në një konferencë shtypi të enjten, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin tha se SHBA nuk do të tolerojë sulme ndaj trupave amerikane.