Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin, i tha ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në Beograd më 11 janar.
Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Vuçiq tha se ky lajm është një zhgënjim i madh, por që Serbia, së bashku me SHBA-në do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për këtë njoftim, por nga kjo ministri nuk pranuan që ta komentonin këtë zhvillim.
Armët e tjera amerikane të FSK-së
Forca e Sigurisë së Kosovës – që është në tranzicion për t’u bërë ushtri – edhe më herët është furnizuar me armë amerikane.
Më 2018, pasi Kuvendi i Kosovës mori vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri – proces që është paraparë të zgjasë dhjetë vjet – Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Po ashtu, Qeveria kishte blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja më 2020, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Kosova po ashtu ka miratuar një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.
Përveç armatimit amerikan, FSK-ja është e pajisur edhe me armë të prodhimit turk, sikurse automjete të blinduara ushtarake dhe dronë.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.
Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh./REL