Shtetet e Bashkuara akuzuan Pekinin të premten se ka kryer fshehurazi një test bërthamor në vitin 2020, ndërsa bënë thirrje për një traktat të ri dhe më të gjerë për kontrollin e armëve, i cili do të përfshinte Kinën si dhe Rusinë.
Akuzat, të bëra gjatë një konference globale për çarmatimin, nxorën në pah tensione serioze mes Uashingtonit dhe Pekinit në një moment kyç për kontrollin e armëve bërthamore, vetëm një ditë pasi skadoi traktati që kufizonte numrin e raketave dhe kokave-bërthamore amerikane dhe ruse.
“Mund të zbuloj se qeveria e SHBA-së është në dijeni që Kina ka kryer teste bërthamore shpërthyese, përfshirë përgatitje për teste me fuqi të përcaktuara në qindra tonë,” tha zv.sekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas Di Nanno, në Konferencën për Çarmatimin në Gjenevë.
Ai tha se ushtria kineze “është përpjekur t’i fshehë testet pasi e di se ato shkelin angazhimet për ndalimin e testeve.”
Sipas tij, Kina ka përdorur metodën e quajtur “decoupling”, një teknikë për të ulur efektivitetin e monitorimit sizmik, me qëllim fshehjen e aktiviteteve nga komuniteti ndërkombëtar.

















