Deputeti Tritan Shehu ka folur për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike në seli.
Ai tha se nuk mund të konsiderohet sukses marrja e dy komisioneve, ndërsa shtoi se gjendja është përkeqësuar me burgosjen e Berishës.
“Gjendja është përkeqësuar me burgojsen e Berishës. Mund të ketë alternativa, fantazi. Por ama mos mendojmë se nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Suksesin nuk e kemi me PS-më por me elektoratin tonë, kur ne na përkrahin ashtu si në protestë”, ka thënë Shehu.
I pyetur nga gazetarët për një debat në mbledhje me Bledjon Nallbati, Shehu e ka mohuar duke thënë se çimkat nuk kanë punuar mirë kësaj rradhe.
“Nuk e di këtë gjë. Siç duket çimkat nuk kanë punuar mirë kësaj radhe. Unë flas mendimet e mia, realisht duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është më tragjike. Izolimi politik i kryetarit të partisë. Ky aksion duhet bërë brenda dhe jashtë parlamentit. Unë nuk thashë as kaos, as bllokim, duhet koncentrim për të kundërshtuar burgosjen e kryetarit të partisë. Kështu do të vepronte çdo parti. Kjo është kauza jonë. Është e larmishme, e gjerë nuk është vetëm në parlament”, shtoi Shehu.