Një avion “Boeing 737 Max 8” ka bërë një ulje emergjente në Florida. Avioni, në të cilin nuk kishte pasagjer për shkak të bllokimit nga Shtetet e Bashkuara, ishte drejtuar për në Kaliforni ku kompania ajrore po mbledh shumicën e flotës së avionëve “Boeing 737 Max”.
Administrata e Aviacionit Federal shpjegoi se avioni kishte pasur një problem në motor dhe është kthyer mbrapsht, ndërsa rasti po hetohet nga ekspertët e fushës.
Pikërisht ditën e hënë, “Boeing” njoftoi se kishte zhvilluar disa teste fluturimesh për të korrigjuar programin, i cili mendohet se është bërë shkak për rrëzimin e avionëve në Etiopi dhe në Indonezi.
Pas tragjedisë së Etiopisë, shumë shtete përfshi edhe SHBA-në, kanë ndaluar fluturimet e avionëve “Boeing 737 Max 8” dhe “Boeing 737 Max 9” për arsye sigurie. Për t’u rikthyer në fluturim, kompania duhet të tregojë se ka korrigjuar programet e sigurisë të instaluara në avion./Opinion.al