Këtë të shtunë në Beograd po mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kjo mbledhje, ku takohen përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi vjen një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviqit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave, ndërkaq ata hodhën gurë në drejtim të policëve. Pas ndërhyrjes së policisë, kryetarët e rinj hynë në zyrat e tyre.