63% e udhëtarëve përgjatë vitit 2025 ka të ngjarë të vizitojnë destinacione më pak të njohura dhe pak të popullura nga turistët.
Në këtë përfundim ka dalë një anketë e kompanisë së udhëtimit Expeida e cila citohet nga media amerikane “Seattle Times”. Në këtë këtë anketë janë pyetur 25 000 njerëz nga 19 vende të ndryshme dhe është vënë re ky trend për tu njohur me destinacione pak të njohura.
Nisur nga kjo, e përditshmja amerikane rekomandon për lexuesit e saj 7 qytete të vogla për t’u eksploruar në Evropë të cilat mund të mos jenë emra të njohur, por ofrojnë përvoja që turistët nuk do t’i harrojnë kurrë. Pjesë e kësaj liste është edhe qyteti i Gjirokastrës.
I njohur ndryshe edhe si qyteti i gurtë, ky qytet është një thesar i fshehur në Ballkan. Arkitektura e saj e epokës otomane, kalaja në majë të kodrës dhe rrugët me kalldrëm ofrojnë një përvojë të pasur kulturore me kosto më të lirë se destinacionet më të famshme.
Qyteti i vogël është gjithashtu një qendër për folklorin shqiptar ku organizohen shfaqje muzikore tradicionale. I tillë është edhe Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës i cili organizohet çdo 4 vjet në Tetor, ku turistët mund të njihen me kulturën tonë.
Klan News