Bullgaria nuk ka lejuar Këshillin për Punë të Përgjithshme, për të caktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Lajmi bëhet i ditur nga mediat maqedonase.
Burime diplomatike për agjencinë e lajmeve MIA, njoftojnë se debati për zgjerimin në takimin e ministrave në Luksemburg ka qenë intensiv për këtë temë.
Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas kësaj agjencie lajmesh, ka thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problemi midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”.
Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, janë deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Gjermania mendon se BE-ja duhet patjetër të bëjë diçka në këtë drejtim.
Sot merret vendimi nga Këshilli Europian se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nëse Bullgaria nuk heq veton, atëherë nuk ka për të pasur datë.