Edhe këtë të hënë Partia Demokratike ka vazhduar me akuzat ndaj Agim Kajmakut. Ish deputeti Ervin Salianji tha se Prokuroria i kërkon llogari Partisë Demokratike për Kajmakun, por nuk “sheh” provat në sistemin TIMS
“Dokumente nga gjykata dhe prokuroria e Athinës të publikuara provojnë se i përzgjedhuri i Ramës për të qeverisur qytetarët e Vorës, është i inkrimiunuari i radhës. Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara. Partia Demokratike provoi gjithashtu se foto e pasaportës me të cilën është arrestuar në Greqi, Jorgo Toto, është e njëjtë me foton e pasaportës së të zgjedhurit të Ramës, Agim Kajmaku”, tha Salianji.
Sipas tij Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncensione.
“Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS. Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Edi Rama duhet te mbaje përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre”./ Opinion.al