Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme në selinë blu një mbledhje me të zgjedhurit vendorë, kryetarët e Bashkive dhe këshilltarë bashkiakë të PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha ka shprehur bindjen se forca e tij politike do trumfojë në zgjedhjet e 11 majit.
Ndër të tjera, kryedemokrati tha se janë bërë përpjekje çnjerëzore për ta shuar forcën e tyre politike, por sipas tij ajo u bashkua dhe shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë në fitore.
Pjesë nga fjala e Berishës:
“Shpreh bindjen time më të thellë se sot forca politike, e cila në ato kushte, shto dhe izolimin më të thellë dhe të pamerituar, mori 600 mijë vota, do të jetë forcë politike e një fitoreje të thellë, të merituar.
Nuk kishte asgjë më të pamundshme se kushtet e një diskriminimi total, e një terrori të vërtet banditesk, e një shteti kriminal elektoral, e kateve më brutale, me listat me bandat, me patronazhistët, aktivistët etj, të vonoheshe nga 600 mijë shqiptare. Në historinë e këtij vendit, do të mbetet habia elektorale.
PD dëshmoi një vitalitet të jashtëzakonshëm. Përpjekje çnjerëzore u bënë për ta shuar këtë forcë. Ajo u bashkua, është në këmbë më e fuqishme se kurrë, shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë për fitore”, tha Berisha.