10 përfaqësues të Policisë së Shtetit prej kësaj të shtune do të jenë në Gjermani, për t’u kujdesur për sigurinë e kombëtares shqiptare gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian.
Benard Muça, shefi i seksionit për rendin në komisariatin numër 2 në Tiranë, është njëri prej tyre.
Për Tv Klan ai tregon se në 9 vite karrierë në Policinë e Shtetit, kjo është diçka e re për të.
“Për mua kjo është një eksperiencë e re, është një sfidë e re në lidhje me një kompeticion aq të madh saç është Euro 2024. Punonjësit e policisë që do të marrin pjesë në Euro 2024 janë punonjës të certifikuar, të kualifikuar në lidhje me aktivitetet masive”, tha ai.
Por cilat janë detyrat që i janë ngarkuar 10 përfaqësuesve të policisë?
“Bashkëveprimi me policinë gjermane, vendosja e shërbimeve. Ka më shumë tifozë shqiptarë, kryesisht në terrene, aeroporte, sheshet kryesore, apo dhe gjatë futjes brenda në stadium”, tha Muça.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe tifozëve “problematikë” për të cilët, Muça thotë se disponojnë një listë me emrat e tyre.
“Me listën ne do të bashkëveprojmë me autoritetet gjermane në lidhje me personat që kanë tendencë për të krijuar trazira apo incidente të ndryshme brenda stadiumit apo jashtë”, tha Muça.
Përfshirja e uniformave blu në kompeticionin më të rëndësishëm europian për kombëtaret, u dakordësua 3 muaj më parë përmes një marrëveshje të arritur mes policisë shqiptare dhe asaj federale gjermane.