Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me deklaratën të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Reagimi ka ardhur nga zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, i cili iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokoj konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.