Tetë anëtarë të një grupi të armatosur militant dhe një polic janë vrarë në përleshjet në rajonin e trazuar, Dagestan, kanë thënë sot zyrtarët e Rusisë. Komiteti Kombëtar për Kundërterrorizëm tha se tre oficerë të Shërbimit federal të sigurisë janë plagosur gjatë përleshjeve, në një hapësirë fshatare në jug të kryeqytetit rajonal, Mahaçkala.
Agjencia Interfax i ka cituar zyrtarët e sigurisë që kanë thënë se operacioni i policisë kishte vazhduar në hapësirat e afërta malore, me synimin që të çrrënjosen militantët e mbetur. Këta zyrtarë kanë thënë se grupi i armatosur ishte përgjegjës për sulmet kundër policisë, civilëve dhe për atë që janë cilësuar si akte terroriste. Dagestani është në qendër të valës së dhunës nga grupet kriminale të armatosura dhe militantët, që synojnë krijimin e kalifatit islamik në Kaukazin Verior./360gradë.al