Parashikimet e para pas zgjedhjeve të përgjithshme në Rumani tregojnë se Partia Social Demokrate ka fituar në zgjedhjet parlamentare, një vit pasi qeveria është përmbysur nga protestuesit e zemëruar për shkak të një zjarri në një klub të natës.
Socialdemokratët kanë fituar afro 45% të votave në zgjedhjet e sotme, dhe udhëheqin bindshëm para Partisë Kombëtare Liberale të krahut të djathtë.
Qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët e kryeministrit, Victor Ponta, paraqiti dorëheqje vitin e kaluar, pasi nga zjarri në një klub nate në kryeqytetin Bukuresht, u vranë 64 vetë. Kjo shkaktoi protesta masive të dhjetëra mijëra njerëzve në Bukuresht.
Raportohet për pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhjet e sotme.
Rumania me 19 milionë banorë, është njëri nga vendet më të varfëra në Bashkimin Evropian dhe perceptohet se është njëri prej shteteve me korrupsion më të lartë.