Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Rugova, kritiku i artit që u vendos në krye të politikës së Kosovës

2021/01/21 at 9:14 AM
në -Kulturë, Kryesore, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
Rugova, kritiku i artit që u vendos në krye të politikës së Kosovës

Ky material është shkëputur nga libri “Hashim Thaçi dhe lufta e Kosovës” me autorë Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu.


Organizimi politik i Kosovës. LDK dhe LPK

Mëngjesin e 23 dhjetorit 1989, në rrugicën e ngushtë që të çonte në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë, nisën të shfaqen disa nga intelektualët më të rëndësishëm të vendit. Në grupe të vogla miqsh e kolegësh, ata futeshin në godinën e ulët e cila asnjëherë nuk kishte pasur një gjallëri të tillë. Në kujtimet e mëpasme disa thonë se ishin 96 vetë, ndërsa të tjerë 119. Por numrat mbeten thjesht një kuriozitet. Ishte ora 09:00 dhe në godinën e Shkrimtarëve ishte njoftuar një eveniment që do shenjonte thellë historinë e Kosovës në dekadat më pas. Krijimi i një partie politike të pavarur nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës.

Jugosllavia ishte në atë kohë në një proces tejet delikat, por edhe konfuz. Disa nga elitat komuniste të Republikave kishin projektuar ndarjen nga Jugosllavia, kishin forcuar institucionet vendore dhe kishin nisur ristrukturimet politike në frymën e pluralizmit demokratik. Të parat, Sllovenia me Kroacinë. Por kishte ende shumë  që mendonin se Jugosllavia mund të ruhej me një organizim dhe rend të ri.

Në ato momente Kosova  gjendej në konfuzion politik, për shkak se në të njëjtën kohë po zhvilloheshin dy procese, në dukje të parë, pa lidhje me njëri-tjetrin: rënia e socializmit dhe dizintegrimi i Jugosllavisë. Në të vërtetë, parimet mbi të cilët ishte ndërtuar Jugosllavia Socialiste (bashkim-vëllazërimi, barazia e kombeve e kombësive dhe vetëqeverisja), ishin tronditur nga themeli që më 1981, kur në Kosovë shpërthyen demostrata të fuqishme anti-serbe dhe anti-jugosllave. Ndërkohë, ardhja e Sllobodan Millosheviqit në krye të komunistëve të Serbisë bëri që komunizmi tradicional serb të shndërrohej në nacional-komunizëm. Viktima e parë e euforisë nacionaliste serbe qe bërë Kosova dhe autonomia e saj. Republikat e tjera do ta përjetonin këtë më vonë, me luftime të ashpra dhe shumë viktima.

Por mëngjesin e 23 dhjetorit, organizatorët e partisë së re, ende nuk ishin të qartë për atë që i priste. Si fillim,  reagimin e autoriteteve policore lokale. Historia kishte nisur kohë më parë, diku në fillim të tetorit, kur një grup intelektualësh dhe krijuesish që mblidheshin në ëmbëltore “Elida” në qendrën “Boro dhe Ramiz”, vendosën krijimin e një partie të re. Më shumë sesa frymën e kontestimit ndaj Serbisë, ajo synonte demokratizimin përmes pluralizmit, të shoqërisë kosovare. Jusuf Buxhovi ishte një ndër më aktivët dhe u ngarkua bashkë me disa të tjerë, te hartonte statutin dhe programin që do të paraqiteshin në një mbledhje themeluese.

Rexhep Qosja, intelektuali më i njohur në vend, rrëfen në një intervistë në “Opinion” më 2004, se fillimisht drejtimi i kësaj strukture i ishte propozuar atij: “Më është propozuar të drejtoj LDK, ose atë që do të bëhej LDK, të jem kryetar, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në dy raste. Unë megjithatë nuk kam pranuar të pranoj atë detyrë.”

Edhe pse intervista është dhënë 15 vjet më pas,  kur zhvillimet në Kosovë kishin marrë krejt tjetër kahje, Rexhep Qosja jep një shpjegim disi të besueshëm për vendimin e tij:

“Mua më kanë sjellë me atë rast një program të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që e kishin përpiluar si program të parë. Dhe ai program ishte në mospajtim me ato që unë disa vjet përpara shkruaja, botoja sidomos në shtypin slloven dhe kroat, për Çështjen e Kosovës dhe Çështjen Shqiptare në përgjithësi. Ishte një program, ku statusi i Kosovës parashihej si një status më i thjeshtë, se ç’ishte bile sipas Kushtetutës së vitit 1974.”

Eshtë vështirë sot të bësh përgjegjës një grup intelektualësh përse nuk parashikuan dot atë që ndodhi 10 vjet më pas, por në ato rrethana ata nuk mund të bënin asgjë më shumë sesa kaq. Madje kjo ishte diçka që askush nuk dinte të thoshte si do të shkonte. Këtë duhet ta kenë ditur edhe vetë themeluesit e LDK – së, pasi siç rrëfen Rexhep Qosja në të njëjtën intervistë:

“Lidhja Demokratike e Kosovës atë program nuk e ka botuar në vëllimin e vet, të botuar me rastin e 5 vjetorit apo 10 vjetorit. Por megjithatë është botuar në revistën në gjuhën shqipe “Republika” në Slloveni“.

Programi dhe statuti qenë në fakt produkt i bisedave dhe diskutimeve të gjata në ëmbëltore “Elida”. Por më 23 dhjetor, në ora 10:05, kur mbledhja filloi, u duk qartë se më i rëndësishëm ishte lidershipi dhe pjesëmarrja në të. Mbledhja zgjati thuajse 55 minuta dhe partisë së re, vendosën t’i vënë emrin Lidhja Demokratike e Kosovës, si një kundërpeshë ndaj Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

Themeluesit e saj nuk kishin profilizim të qartë politik dhe as biografi të njëjtë politike. Për këtë arsye, për një kohë ata nuk arritën konsensus të plotë për udhëheqjen dhe programin politik. Udhëheqja e parë e LDK-së u caktua atypëraty, pa një analizë dhe parapërgatitje, vetëm në bazë të njohjeve personale të grupit që kishte iniciuar themelimin e partisë. Kjo më vonë do të reflektohej me largimin e shpejtë të shumicës së anëtarëve të kryesisë së parë, të cilët nuk u rreshtuan në LDK sipas programit apo parimeve të qarta politike, por sipas afrisë që manifestonin me grupe të caktuara brenda partisë.

Takimi vendosi që kryetar i partisë të ishte Ibrahim Rugova, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe sekretar, Jusuf Buxhovi, edhe ai një shkrimtar.

Ibrahim Rugova 45 vjeçar, ishte një kritik arti, që kishte studiuar në Kosovë dhe më pas në Paris, prej nga ishte kthyer me një detaj që ra shpejt në sy në Prishtinën e kohës, por edhe në karrierën e tij- shallin e mëndafshit që mbështillte rreth qafës. Historia e tij mblidhte gjithë dramën shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte lindur në zonën e Kelmendit, në 2 dhjetor 1944. Pa mbushur ende 40 ditët, partizanët jugosllavë i vranë babain dhe gjyshin. I mbetur jetim, arriti të shkollohet dhe të bjerë në sy si drejtues i gazetës së studentëve “Bota e re”. Shpejt mori drejtimin e kritikës. Pas kthimit nga Parisi dhe sidomos pas demostratave të vitit 1981, nisi të shfaqej më shpesh në TV në emisionet kulturore. Rugova nuk ishte as më i spikaturi, as më aktivi dhe as më i guximshmi. Por në krye të LDK-së ai arriti të plazmojë një filozofi të Rezistencës Paqësore, që në fillim të viteve ’90 – të qe shumë e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës.

Rreth orës 11:00 të 23 dhjetorit 1989, ndërsa emri i tij shënohej si Kryetar i LDK – së, ai vetë nuk kishte si ta mendonte se prej atij momenti do të shndërrohej ndër njerëzit më të rëndësishëm të Kosovës. Dhe që një dekadë më pas, Parlamenti pluralist i Kosovës së lirë, do ta zgjidhte atë Presidentin e parë të saj.

LDK u shndërrua shpejt në një pikë referimi për shqiptarët. Duke marrë rolin e liderit politik të të gjitha partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, LDK-ja përpunoi tre opsione politike për zgjidhjen e Çështjes së Kosovës: 1) Nëse Jugosllavia strukturohej si Federatë e Republikave, Kosova kërkonte të bëhej njëra nga Republikat e saj; 2) Nëse Jugosllavia konstituohej si Federatë/Konfederatë asimetrike, atëherë shqiptarët në Jugosllavi do të bashkoheshin në një njësi federale/konfederale; dhe 3) Nëse Jugosllavia shpërbëhej, atëherë Kosova do të kërkonte të bëhej e pavarur.

Por këto opsione të paraqitura nga LDK-ja kishin brenda një problem të pakapërcyeshëm: synonin zgjidhje me mjete politike, në një kohë që në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë kishte nisur vringëllima e armëve.

Megjithatë, duhet pranuar se në fazën e parë LDK-ja arriti të mblidhte një anëtarësi të gjerë, sepse ajo nuk u profilizua në një grupim të qartë politik, as sipas programit dhe as sipas synimeve që manifestonte. Në të gjetën strehë ish-komunistët jugosllavë, ushtruesit dhe përkrahësit e pushtetit autonomist, nacionalistët, të burgosurit politikë dhe persekutorët e tyre, intelektualë të profileve të ndryshme.

Në zgjedhjet e vitit 1992, LDK-ja mori shumicën absolute. Me këtë rezultat, ajo e prezantoi veten dhe liderin e saj, Rugovën, jo si një parti politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por një lëvizje gjithëpopullore e rezistencës. Më parë, në shtator 1991, LDK kishte organizuar Referendumin për Pavarësi, në frymën  e republikave të tjera, ndërkohë që kishte ngritur, me legjitimitetin e votës, edhe strukturat paralele. Struktura që zëvendësonin shtetin jugosllav, ku shqiptarët, nuk pranoheshin më. Dhe që mbeten në histori si një shembull brilant i qëndresës së një populli.

Gjatë viteve ’90 – të, LDK-ja proklamoi dhe propagandoi në vazhdimësi, vetëm një formë politike, rezistencën paqësore. Aktiviteti i saj publik u kufizua në konferenca për shtyp, në të cilat përsëriteshin pa fund; konstatime të njëjta mbi represionin serb në Kosovë, ndërsa shërbimi për informim i LDK-së grumbullonte dhe publikonte në vazhdimësi të dhëna mbi keqtrajtimet në terren, duke krijuar në opinion ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë. Ky qëndrim, bllokoi format e tjera të rezistencës, që nisën të bien më shumë në sy kryesisht në mes të viteve ’90 – të. Pas ngjarjeve të Dejtonit, përkeqësimi i situatës në Kosovë dhe pasiviteti në vazhdimësi i LDK-së, e rriti ndjeshëm numrin e kundërshtarëve të hapur. Ai i dha shanse një tjetër strukture politike që më shumë se në Kosovë, ishte aktive jashtë, LPK – së.

Historia e LPK – së ishte më e gjatë, më e panjohur dhe padyshim më kaotike. Për shkak të rrethanave të krijuara në Kosovë, ku represioni policor shtohej vazhdimisht, pas viteve ’70, disa nga grupet ilegale të rezistencës, e transferuan veprimtarinë e tyre në diasporë. Kjo diasporë filloi të krijohej nga të ashtuquajturit “të punësuar të përkohshëm” në shtetet perëndimore, fillimisht në Gjermani dhe më pas në Zvicër dhe Austri, kurse më vonë edhe në shtetet skandinave. Pavarësisht se mbaheshin nën kontroll të vazhdueshëm të shërbimeve sekrete jugosllave, ambienti Perëndimor iu krijonte mundësi të ardhurve nga Kosova të organizoheshin dhe të mbanin kontakte të rregullta si me vendlindjen, ashtu edhe me ambasadat dhe shërbimet konsullore të Shqipërisë.

Në janar 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë u vranë 3 aktivistë të njohur të këtyre grupeve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Vrasja e tyre, ishte organizuar me gjasë nga Shërbimi Sekret Jugosllav, si shpagim për veprimtarinë proshqiptare.

Një muaj pas vrasjes, më 17 shkurt 1982, përfaqësues të dy grupimeve ilegale, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, u takuan në Turqi, në prezencë edhe të Ambasadorit të Shqipërisë, Bujar Hoxha. Ata ranë dakort të shpallin “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ). Ky version nuk është vërtetuar asnjëherë, por mbetet gjithnjë më i besueshmi.

Më 15 maj të vitit 1982, përfaqësuesi i grupit të tretë ilegal, Xhafer Shatri deklaroi në Zvicër hyrjen në LRSSHJ.

Tre organizatat e bashkuara ishin: “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve Shqiptare në Jugosllavi”, “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” dhe “Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”. “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”, më 1986 ndërroi emrin në “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës”.

LPRK ndryshoi mënyrën e punës dhe të organizimit të grupeve ilegale në Kosovë. Për herë të parë ajo arriti të organizohej në mënyrë të koordinuar në tri hapësira njëkohësisht: në diasporë, në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Në fazën e parë, deri në fillim të viteve ’90, edhe LPRK-ja u mor me zgjerimin e Lëvizjes, me organizimin e strukturave të veta dhe propagandimin e Çështjes së Kosovës në ambiente dhe nivele të ndryshme. Edhe në këtë drejtim, në punë të propagandës dhe informimit LPRK-ja arriti cilësi më të lartë aktiviteti. Që në nismë, ideatorët e saj e kuptuan se informimi i anëtarësisë së gjerë, sikundër edhe ngritja e nivelit të punës propaganduese, paraqitej e domosdoshme në kushtet e reja të punës, qoftë në Kosovë, qoftë në diasporë. Jusuf Gërvalla, gazetar me profesion, kishte nxjerrë më 1981 në Gjermani, numrin e parë të gazetës “Zëri i Kosovës”. Pas vitit 1985, me kalimin në Zvicër, edhe formalisht “Zëri i Kosovës” u bë organ i LPRK-së. Gazeta për shumë vite u shpërnda ilegalisht në Kosovë dhe intensivisht propagandoi luftën për çlirim, deri në fund të viteve ’90.

Problemi kryesor i saj ishte tendenca majtiste e theksuar dhe lidhjet me Shqipërinë Komuniste. Por Xhavit Haliti, një prej eksponentëve në Zvicër, mendon të kundërtën. Në një intervistë të vitit 2000 në “Opinion”, ai shprehet:

“Në thelbin e këtyre organizatave ishte nacionalizmi. Nuk përjashtoj ndoshta animin nga e majta, dhe ndoshta për një kohë të caktume, derisa janë bërë ndryshimet në Shqipëri”

Lëvizja stimuloi edhe rezistencën e armatosur brenda Kosovës. Asaj i atribuohen dy akte shumë të njohura në historinë e Kosovës së viteve ’80 – të, rezistenca e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në 11 janar 1984 dhe ajo e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazlliut në 2 nëntor 1989. Të katër këta u vranë duke refuzuar të dorëzohen, duke u kthyer kështu në simbole të rezistencës.

Konfuzioni politik që e përfshiu Kosovën pas vitit 1989 dhe më vonë, krijoi ambient të përshtatshëm për faktorizimin e LPRK-së në skenën politike të Kosovës. Por duke parë se “Republika e Kosovës”, tashmë ishte ezauruar nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe nga Kushtetuta e Kaçanikut, LPRK-ja ndryshoi emrin, në Lëvzja Popullore e Kosovës” (LPK).

Pas hapjes së Shqipërisë, LPK u mundua të përfshinte në lëvizjen ilegale në Kosovë edhe shtetin shqiptar. Përfaqësuesit e saj takuan fillimisht Presidentin Ramiz Alia në Tiranë, më pas ish-kryeministrin Nano në Zyrih, dhe së fundmi edhe Presidentin Berisha në Tiranë.

Hapja e Shqipërisë, kishte qenë një fat për politikat e LPK – së. Në këto rrethana të reja, në fillim të viteve ’90, LPK-ja bëri hapin tjetër të rëndësishëm: Deklaroi se çlirimi i Kosovës arrihet vetëm me luftë të armatosur.

Për ta bërë sa më efikas këtë vendim, ajo organizoi dy mbledhje shumë të rëndësishme, në 24 mars 1993 në Kërçovë të Maqedonisë dhe në 28-29 korrik 1993, në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë. Në të dyja u mor vendim të kalohej në veprime konkrete të armatosura. Veprime, që grupime të caktuara i kishin nisur ndërkohë në Drenicë, Llap apo Dukagjin.

Për t’i ardhur në ndihmë projektit të saj, më 1993, u krijua në Zvicër fondi “Vendlindja Thërret”. Sipas dokumentit të themelimit:

“Fondi i dedikohej luftës për çlirimin e trojeve shqiptare të robëruara.”

E ndrydhur nga euforia dhe përmasat e LDK – së, LPK – ja, filloi të marrë frymë dhe të zgjerohet pas Marrëveshjes së Dejtonit, në fund të vitit 1995. Në atë kohë u pa që filozofia e LPK – së mbetej mjeti i vetëm për Çështjen Shqiptare.

Hashim Thaçi deklaron se kishte hyrë në LPK që në vitin 1989./ Opinion.al

Etiketa: "Hashim Thaçi dhe lufta e Kosovës"Baton Haxhiublendi fevziu


Ju sugjerojmë

“Dhjetëra mln euro për asfalt elektoral”/Vokshi: Rriten rastet e blerjes së votës!
Aktualitet

“Dhjetëra mln euro për asfalt elektoral”/Vokshi: Rriten rastet e blerjes së votës!

9 Maj, 2025 3:30 pm
FOTOT/ FSHF publikon pamjet e projektit! Ja si do duket stadiumi i ri i Kavajës
Kryesore

FOTOT/ FSHF publikon pamjet e projektit! Ja si do duket stadiumi i ri i Kavajës

9 Maj, 2025 3:09 pm
Begaj mesazh shqiptarëve: Vota është zëri juaj, kthejeni 11 majin në ditë feste!
Aktualitet

Begaj mesazh shqiptarëve: Vota është zëri juaj, kthejeni 11 majin në ditë feste!

9 Maj, 2025 2:57 pm
Nuk kishin vendosur maskën, policia gjobit 621 qytetarë
Aktualitet

Në prag të zgjedhjeve/ Qeveria merr vendimin: Falen gjobat e vendosura që nga viti…

9 Maj, 2025 2:35 pm
SPAK sqaron pse u prezantua Veliajn si i dënuar në dosje: I kemi kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit, Veliaj nga qelia: Votoni PS, për Shqipërinë që ecën përpara!

9 Maj, 2025 2:34 pm
Tjetërsuan një godinë në hotel, pezullohen 7 zyrtarë të Kadastrës së Tiranës
Aktualitet

Krimet zgjedhore/ Prokuroria e Përgjithshme: Janë regjistruar 54 kallëzime penale!

9 Maj, 2025 2:10 pm
“Fola disa herë me Trump”, Macron bën paralajmërimin e fortë
Bota

“Fola disa herë me Trump”, Macron bën paralajmërimin e fortë

9 Maj, 2025 2:09 pm
Përgatitjet për zgjedhjet e 11 Majit, mbi 3.7 mln qytetarë me të drejtë vote
Aktualitet

Shqipëri: Zgjedhjet parlamentare provë vendimtare për në BE

9 Maj, 2025 1:47 pm
4 ditë nga zgjedhjet e 11 majit/ Mbërrijnë edhe në Shkodër materialet zgjedhore
Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit/ Materialet zgjedhore mbërrijnë në KZAZ Kukës

9 Maj, 2025 1:47 pm
Zgjedhjet e 11 Majit/ JD Vance mesazh Shqipërisë: Zëri i njerëzve ka rëndësi
Bota

“Nuk është puna jonë”/ Vance: SHBA, jo ndërhyje në përplasjen Indi-Pakistan

9 Maj, 2025 1:25 pm
Para
Gjermania paralajmëron mbylljen e kufijve me fqinjët

Gjermania paralajmëron mbylljen e kufijve me fqinjët

1989/ Regjimi komunist e akuzat për trafik armësh, intervista e Leka Zogut

1989/ Regjimi komunist e akuzat për trafik armësh, intervista e Leka Zogut

Arrestohen 2 punonjës policie dhe dy doganierë

Arrestohen 2 punonjës policie dhe dy doganierë
















TE FUNDIT

“Dhjetëra mln euro për asfalt elektoral”/Vokshi: Rriten rastet e blerjes së votës!

“Dhjetëra mln euro për asfalt elektoral”/Vokshi: Rriten rastet e blerjes së votës!
9 Maj, 2025

Albana Vokshi, deputetja e Partisë Demokratike ka ngritur sot akuza të rënda lidhur me fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste, duke...

Lexo më shumë

FOTOT/ FSHF publikon pamjet e projektit! Ja si do duket stadiumi i ri i Kavajës

FOTOT/ FSHF publikon pamjet e projektit! Ja si do duket stadiumi i ri i Kavajës
9 Maj, 2025

Qyteti i Kavajës do të ketë së shpejti një stadium të ri futbolli, i cili do të ndërtohet mbi bazën...

Lexo më shumë

Begaj mesazh shqiptarëve: Vota është zëri juaj, kthejeni 11 majin në ditë feste!

Begaj mesazh shqiptarëve: Vota është zëri juaj, kthejeni 11 majin në ditë feste!
9 Maj, 2025

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pritur ditën e sotme delegacionin e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Michael Gahler, që...

Lexo më shumë

Në prag të zgjedhjeve/ Qeveria merr vendimin: Falen gjobat e vendosura që nga viti…

Nuk kishin vendosur maskën, policia gjobit 621 qytetarë
9 Maj, 2025

Në prag të zgjedhjeve të 11 Majit, qeveria ka vendosur të falë gjobat. Bëhet fjalë për gjoba të paekzekutuara deri...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com