Shqipëria po njeh një rritje të ndjeshme të interesit për punësimin e shtetasve të huaj, veçanërisht nga vende si Turqia, Italia, Kosova, Filipinet dhe India. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 janë miratuar mbi 11 mijë leje unike pune për të huajt.
Gertiola Çepani, drejtuese e Shërbimit të Tregut të Punës pranë AKPA, bën të ditur se sektorët më të kërkuar mbeten ato prodhues dhe shërbimet.
“Gjatë këtij viti kemi zhvilluar një analizë të tregut, ku mbi 2300 punëdhënës kanë shprehur mungesën e fuqisë punëtore dhe nevojat për aftësi të reja. Për të aplikuar, punëdhënësit shqiptarë duhet të kenë lidhur kontratë pune me të huajin dhe të kenë shlyer detyrimet tatimore. Krahas dokumentacionit të zakonshëm si diploma, ID, dhe adresa e qëndrimit, aplikimi bëhet përmes e-Albania,” tha Gertiola Çepani, Drejtuese e Shërbimit të Tregut të Punës, AKPA.
Të huajt me leje unike gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët shqiptarë, ndërkohë që aktiviteti i tyre punësor monitorohet nga Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Punës.
“Shqipëria është kthyer në një treg gjithnjë e më atraktiv për fuqinë punëtore të huaj, ndërsa sfidat mbeten dokumentacioni i pasaktë dhe përmbushja e kritereve ligjore. Ndërkohë, pritet rishikimi i ligjit për të huajt për të lehtësuar më tej të drejtat e emigrantëve dhe aksesin e tyre në tregun shqiptar të punës.”
Autoritetet theksojnë se kjo prirje pasqyron zhvillimet e tregut dhe rritjen e interesit të të huajve për të ndërtuar një të ardhme profesionale në Shqipëri. Tv Klan

















