Ekonomist, zhvillues softuerësh, por edhe punonjës shërbimi në fushën e turizmit janë disa nga profesionet më të kërkuara mes 6000 mijë vendeve të lira të punës të shpallura në portalin zyrtar të punësimit puna.gov.al.
Pozicionet e punës variojnë sipas nivelit arsimor, ndërkohë që kërkesa e lartë lidhet me sezonalitetin e ndryshimeve në tregun e punës.
“Disa nga profesionet që kërkohen më shumë për nivelin e lartë janë ekonomistë, menaxher dhe drejtues, inxhinierë, analistë dhe zhvillues softëer-ësh, drejtues në sektorin e hoteleri-turizmit. Ndërsa për arsim të mesëm dhe të ulët profesionet më të kërkuara janë kamarierë dhe banakierë, kuzhinierë, shoferë të mjeteve të rënda, recepsionistë, shitës në dyqan,“ tha Gertiola Çepani, drejtore e Shërbimit të Punësimit, AKPA.
Sipas zyrtarëve të punësimit, qytetarët po tregojnë më shumë ndërgjegjësim në përdorimin e platformës digjitale, duke shmangur ndërmjetësimin fizik në aplikim.
“Është vënë re një rritje e aktivitetit për të rinjtë, sidomos për ata persona që kanë aftësi dixhitale, të cilët aplikojnë direkt për vendin e punës pa ndërmjetësimin e zyrave të punës. Pjesa tjetër e punëkërkuesve referohet nëpërmjet zyrave të punësimit.”
Aplikimi online është thjeshtëzuar, ofrohet pa pagesë dhe qëndron i hapur për të gjithë qytetarët. Institucionet e punësimit e shohin platformën si një mjet kyç për ndërmjetësimin mes ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.

















