Në muajin qershor, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe netqëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vizitorët gjithsej në strukturat hoteliere u rritën me 37,2 % krahasuar me qershorin e 2024.
Turistët e huaj kanë një rritje më të madhe, me 37,4 %, ndërsa rezidentët kanë një rritje prej 36,7 %.
Në publikimin e INSTAT përcaktohet se të huajt jo vetëm që janë rritur si numër, por kanë shtuar edhe kohëzgjatjen e pushimeve në Shqipëri, pasi netqëndrimet janë rritur për qershorin me 38,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në muajin qershor, shumica e vizitorëve jo-rezidentë që u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Kosova dhe përbëjnë 19 % të totalit të vizitorëve.
Më pas renditen turistët nga Italia me 13 % dhe ata nga Polonia me 10 % të totalit të vizitorëve.
Ndërkohë që në rritje gjatë qershorit kanë ardhur edhe vizitorët nga Gjermania dhe Franca, të cilët kontribuan përkatësisht me 8 % dhe 6 % të vizitorëve, ndërsa 44 % janë nga vendet e tjera. (tab2)
Sipas INSTAT, këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 39,5 % në fillim të kësaj vere, duke u rritur me mbi 4 % krahasuar me qershorin e vitit të shkuar, kur ky tregues ishte 35,9 %.
Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat bregdetare, me mbi 42 %.
Klan News

















