Italia ka miratuar një ligj të ri, i cili parashikohet të ketë pasoja ekonomike në Shqipëri. Bëhet fjalë për bizneset “call center” ku janë të punësuar mijëra të rinj shqiptarë.
Komisioni i Buxhetit pranë Dhomës së Deputetëve në Itali aprovoi një amendament të ligjit të stablilitetit 2017, që parashikon rregulla më të rrepta për zhvendosjen e shërbimeve të “call centre”.
Ndërmarrjet që vendosin të transferojnë aktivitetin në vendet jo europiane nuk mund të përfitojnë nga asnjë lehtësim fiskal dhe do të kenë probleme për të marrë pjesë në tenderat publikë.
Sipas përfaqësuesve të sindikatave kryesore, amendamenti nuk do të kthejë në Itali aktivitetet e këtij lloji, shumica e të cilave veprojnë në Shqipëri, por thjesht do t’i spostojë në një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç mund të jetë Rumania.
Ata këshillojnë gjithësesi një kontroll më të rreptë në këtë fushë. Ende nuk dihet nëse teksti do të pësojë ndryshime gjatë shqyrtimit në Senat.