Para publikimit të projektit të “MIA” të Robert Berishës, u publikua një këngë rumune, melodia e së cilës është identike me të Robertit, madje edhe titulli është “Made in Romania”.
Megjithëse kënga është identike, Roberti për Gazetën Express zbuloi se kënga është huazur me marrëveshje dhe nuk mund të quhet vjedhje.
“Me produksionin Amma nga Rumania kam bashkëpunuar edhe më herët dhe jemi shkëmby me projekte. Kanë vdekur ato kohëra kur dikush mundet me vjedh kangën edhe me publiku në “Youtube”, të gjithë e dinë këtë punë. Kënga më ka pëlqy dhe vendosa me këtë këngë me fillu karrierën si këngëtar”, tha Roberti duke zbuluar edhe kontratën e bërë me kompaninë Amma.
Ndryshe kënga origjinale është realizuar nga vogëlushi Ionut Cercel dhe është publikuar në vitin 2010.
Pas këtij projekti Robert Berisha që ndryshe njihet edhe si bashkëshorti i këngëtares Nora Istrefi, ka paralajmëruar se do të vijë me një tjetër projekt ritmik që do të publikohet gjatë muajit korrik./Gazeta Ekspress