Partia Demokratike ka shprehur shqetësimin për prodhimin e kanabis në Shqipëri. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka dalë në një konferencë për shtyp pas raportit të BE-së, që thotë se Shqipëria renditet e para në Europë për prodhimin e kanabisit.
“Shqipëria, për fat të keq, është në krye të listës së prodhimit të hashashit dhe të tregtimit të tij të paligjshëm. Ky raport i Bashkimit Europian është pohimi, është konfirmimi ndërkombëtarisht, i asaj që qytetarët shqiptarë e dinë mirë, është pohimi i asaj që Partia Demokratike e ka denoncuar çdo ditë, është konfirmimi se kanabizimi masiv i vendit, përmes grupeve kriminale të lidhura me policinë, me Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, është realiteti i hidhur që po jetojmë.
Prej tre vitesh trafikantët e drogës, lordët e hashashit kanë gjetur parajsën në Shqipëri, pasi ata erdhën në pushtet me Edi Ramën, ndajnë pushtetin me të, dhe do tentojnë të mbajnë pushtetin duke blerë votën e shqiptarëve të pamundur, sa herë t’i thërrasë kumbari”, deklaroi Ristani.