Koncensioni i Rinasit i është shitur për rreth 90 mln dollarë kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”. Burime jozyrtare konfirmojnë se është firmosur shitja e aeroportit mes kompanisë kineze dhe konçensionarit TIA.
“Everbright Global Airport and Investment Fund” është pjesë e kompanisë “China Everbright”, e mbështetur nga shteti kinez dhe e specializuar në menaxhim asetesh me një portofol të gjerë investimesh. Kompania ka ngritur një fond të fokusuar në investime në sektorin e aviacionit, porte dhe infrastrukturë europiane.
Në një intervistë për “Hong Kong Economic Journal”, drejtori ekzekutiv i “China Everbright” pati deklaruar se objektiv i kompanisë është të zhvillojë në to pjesën logjistike të transportit ajror të mallrave.
Ndërsa vetë drejtori ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez kur pranoi interesimin kinez, tha se shitja synon zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së aeroportit.
Megjithatë, zyrtarisht TIA thotë se negociatat vazhdojnë dhe kalojnë në disa faza. Në rast se përmbyllen me sukses të gjitha këto faza, lajmi do të bëhet i ditur publikisht pas këtij momenti. /tch