Në emisionin “Opinion”, analisti Albatros Rexhaj, komentoi skandalin e financiarit të ndjerë, Jeffrey Epstein.
Rexhaj u shpreh se seksi ka korruptuar që në lashtësi dhe është një metodë e njohur. Sipas tij, Epstein është një individ, që iu është afruar njerëzve me pushtet (të cilët kanë vese) dhe i ka shantazhuar ato.
Për të, në këtë histori ka dorë dhe shërbimi sekret rus. Rexhaj deklaroi se Rusia dëshiron të thotë se elitat perëndimore janë krejtësisht të degraduara.
“Seksi ka korruptuar që në lashtësi. Faktet janë brutale këtu. Me rastin e Epstein janë marrë prokurorët më të mirë që ka Amerika. Më 2019 ai u fut në burg. Harrojmë se festat kanë qenë trendy në vitet 1990. Epstein ka bërë partyt më të mira në Nju Jork, prandaj ka shkuar Trump. Epstein i ka ditur pikat e dobëta liderëve botërorë dhe ka dashur t’i shantazhojë. Nuk duhen përmendur emra si në kohën e komunizmit. Këto janë operacione të shërbimeve sekrete ruse.
Dhe kështu Rusia thotë se ka jetë dekadente në elitat e Perëndimit. Bill Clinton e Trump nuk e kanë ditur se Epstein është trafikant. Njerëzit e pushtetshëm kanë vese, por nuk mund të arrish në përfundimin se elitat e perëndimit qenkan të degraduara plotësisht. Epstein është një njeri që ka dashur t’iu afrohet njerëzve me pushtet, ka dashur që të shantazhojë elitat, në bazë të veseve që ata kanë”, deklaroi Rexhaj.
Mbi 3 milionë dokumente janë zbuluar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, ku dëshmohen imazhe të skandalit Epstein. Të përfshirë në afera seksuale dyshohen njerëz me pushtet në botë.















