Xhon Li Endërson
Fidel Kastro ka vdekur. Për forcën e tij simbolike dhe jetëgjatësinë e karrierës, udhëheqësi revolucionar kuban nuk ka pothuaj asnjë rival në kohët moderne. Në gusht kishte mbushur 90 vjeç. Zyrtarisht ishte tërhequr nga jeta politike në vitin 2008, dhe dy vite më herët, ia kish lënë pushtetin vëllait më të vogël, Raul, 85 vjeç, për shkak të një sëmundje të rëndë. Por, për plot 49 vite, Kastro kish qenë lider maximo i Kubës. Dhe deri në vdekje, në 25 nëntor 2016, mbeti patriarku i padiskutueshëm i revolucionit kuban.
Prej pak kohësh ishte dobësuar shumë shëndetërisht. Shfaqja e itj e fundit në publik ndodhi në prill të këtij viti, për kongresin e Partisë Komuniste Kubane, i mbledhur pas udhëtimit historik të presidentit amerikan, Barack Obama në Havanë, dhe kishte gjithë atmosferën e një lamtumire. Në fjalën e tij, ku mezi shqiptonte fjalët, Kastro foli për ditëlindjen e ardhshme: “Shumë shpejt do të jem si gjithë të tjerët”, tha. Dhe shumë prej delegatëve qanë.
Aludimi për vdekjen e tij ishte një fakt domethënës, sepse lideri kuban nuk kishte folur asnjëherë në publik. Në dekadat kur ishte në pushtet, nga janari 1959, kur rrëzoi diktatorin Fulgencio Batista, deri në dorëheqjen e tij në 2008, kubanët e kanë imituar, duke përdorur eufemizma si “pashmangshmëria biologjike”. Më shumë se cilido udhëheqës tjetër i historisë së vonë, në vendin e tij Fidel Kastro kishte staturën e një legjende të gjallë. Për shumë vite, kubanët e konsideruan pothuaj të pavdekshëm.
Mosbesim ndaj perandorisë
Fidel Kastro ishte në qendër të ngjarjeve ndërkombëtare për një periudhë kohe të jashtëzakonshme. Mori pushtetin kur president i SHBA ishte Eisenhouer, dhe e mbajti deri në mandatin e dytë të Bushit. Vdiq në ditët e fundit të administratës së Obamës, i pari president amerikan që ka vizituar Havanën, në mars të këtij viti, pasi negocioi me Raulin rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në vitin 2014. Kur Obama vizitoi Kubën, Fidel Kastro nuk e takoi. Në një farë kuptimi, vizita e presidentit amerikan ishte prova se epoka e lider maximo kish marrë fund vërtetë. Kastro nuk u besoi kurrë amerikanëve, gjë që ua kujtoi të gjithëve edhe në një letër të botuar në janar 2015, disa javë pas shpalljes së shkrirjes së marrëdhënieve diplomatike mes Havanës dhe Uashingtonit. “Nuk i besoj politikës së SHBA dhe nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë me ta”, ka shkruar ai, “por kjo nuk do të thotë që unë refuzoj një zgjidhje paqësore të konfliktit”. Më pas, provoi të shprehë miratimin e tij me një xhiro fjalësh, duke pohuar që Rauli, duke kryesuar tratativat me armiqtë kryesorë të Kubës, “kishte marrë vendimet e duhura, konform prerogativave dhe kompetencave që i janë dhënë prej ansamblesë kombëtare të Partisë Komuniste kubane”. Por të gjithë e njihnin karakterin e tij.
Me ato fjalë, Kastro konfirmohej si patriarku i fundit i atyre burokratëve kubanë, skeptikë kundrejt shkrirjes së marrëdhënieve me SHBA, dhe lëshimet ndaj kapitalizmit që kish bërë Rauli, të cilat erdhën duke u rritur pas shtensionimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në një editorial të botuar pak kohë pas vizitës së Obamës, Fideli vuri theksin në paturpësinë me të cilën presidenti amerikan u ishte drejtuar kubanëve, duke u kërkuar që “të harrojnë të kaluarën dhe të shohin nga e ardhmja”. Kujtoi se e kaluara e Kubës ishte e mbushur me episode dhune, të kryer apo frymëzuar nga amerikanët, se revolucioni kuban kishte shumë pak për të mësuar nga yankee-t dhe nuk kish nevojë për bamirësinë e tyre. “Nuk i kërkojmë asgjë perandorisë”, shkroi ai. Këto fjalë të tij patën efekt, sepse e bënë Kubën që të bëjë një hap prapa në rrugën e afrimit me Uashingtonit.
Vdekja e Fidel Kastros ndodhi tetë javë përpara ditës kur Donald Trumpi do të marrë presidencën e SHBA. Mes të tjerave, Trumpi u ka premtuar konservatorëve kubano-amerikanë të Majemit që të shfuqizojë disa vendime të marrë nga Obama, që kanë si objektiv vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me ishullin, përmes turizmit dhe marrëveshjeve tregtare. Kush kritikon linjën e Pbamës, thotë se hapja e tij shërbeu më shumë për forcimin e një regjimi komunist shtypës. Nëse Trumpi do të mbajë premtimet e tij, ndoshta Havana dhe Uashingtoni do të kthehen të kenë të njëjtën sjellje mosbesuese reciproke si në të kaluarën, kur Kastro nisi revolucionin e tij socialist dhe e transformoi Kubën në një prej vendeve në vijën e parë të frontit të Luftës së Ftohtë. Çfarëdolloj gjëje që të ndodhë në marrëdhëniet e reja të brishta mes Kubës dhe SHBA, është një paradoks që skeptikët më të mëdhenj ndaj shkrirjes, janë të udhëhequr nga një anë, prej Fidelit, e nga ana tjetër, prej armiqve të tij në Majemi.
Trashëgimia e udhëheqësit kuban do të diskutohet gjatë. Sot Kuba është një vend në vështirësi, por treguesit e saj ekonomikë dhe socialë ngjallin zili tek fqinjët. Regjimi marksist i vendosur nga Kastro shumë vite më parë, në disa aspekte është bërë më pak shtrëngues: sot ka shumë më tepër liri fetare për qytetarët, duke përfshirë disidentët e shpallur, që ikin e vijnë lirisht nga ishulli. Por në qeverisje ka ende një parti unike. Policia përdor grushtin e hekurt me këdo që përpiqet të organizojë manifestime proteste. Shtypi është ende pothuaj tërësisht në duart e komisarëve të partisë, dhe boton traktate ideologjike, më shumë se sa lajme.
Për të rinjtë kubanë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë kur Kastro u tërhoq nga jeta publike, që para se të vdiste lider maximo ishte një totem i errët, një gjysh i cili fliste për probleme të cilët nuk kishin fare të bënin me jetën e tyre. Me shtimin e kubanëve që nuk varen më nga shteti – të ashtuquajturit cuentapropistas, që punojnë për veten e trye si taksistë, kuzhinierë, kamerierë, berberë, punëtorë e kështu me radhë – thirrjet revolucionare të Fidelit kishin nisur të konsideroheshin si shfryrjet e një plaku, që e kish “ngrënë çanakun e tij”.
Transformimi i botës
Në vitet e fundit, Fidel Kastro ia besonte reflektimet e tij editorialeve sporadikë të botuar në Granma, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste. Në artikullin e fundit, botuar në 8 tetor me titull “Fati i pasigurtë i species njerëzore”, ka bërë një seri reflektimesh të paqartë mbi shkencën dhe fenë. Dhe e ka përmbyllur: “Në këtë pikë, fetë marrin një vlerë speciale. Eshtë demonstruar se në mijëra vitet e fundit, ndoshta tetë apo dhjetë mijë vitet e fundit, kanë ekzistuar bindje të artikuluara, me detaje interesante. Ajo që dimë për epokat e mëparshme ka shijen e traditave të lashta të krijuara nga grupe të ndryshme qeniesh njerëzore. Di shumë gjëra për Krishtin, nga ajo që kam lexuar dhe më kanë mësuar në shkollat e jezuitëve dhe vëllezërve La Salle. Më kanë rrëfyer shumë histori për Adamin dhe Evën, Kainin dhe Abelin, Nien dhe përmbytjen, dhe manën që zbriti nga qielli. Do të përpiqem të shpreh ide të tjera për këtë problem, në të tjera raste”.
Atë rast nuk do ta ketë më. Kastro vendosi një regjim komunist në Kubë, ndali pushtimin e urdhëruar nga CIA në Gjirin e Derrave, provokoi krizën e raketave, organizoi dhe armatosi një sërë revoltash në Amerikën Latine dhe Afrikë, dërgoi kubanët që të luftojnë kundër trupave afrikano jugore në Angolë, i mbijetoi rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, dhe mbajti në këmbë regjimin komunist në ishull edhe për një tjetër cerek shekulli, shpesh herë me forcën e vullnetit dhe për zemërimin dhe irritimin e armiqve të tij. Dhe si një njeri që deri në fund kërkoi të transformojë botën përmes socializmit revolucionar, ndoshta nëntëdhjetë vite nuk ishin mjaftueshëm.
The New Yorker – Në shqip nga www.bota.al