Rregullorja e futbollit pritet të pësojë ndryshime të tjera, që mund ta revolucionarizojnë përfundimisht këtë lojë.
Veçanërisht i rëndësishëm është ai që lidhet me fillimin e lojës, në çastin e prekjes së topit të parë nga pika e mesfushës. Bordi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka njoftuar se tashmë topi mund të lëvizë në çdo drejtim pas fishkëllimës së parë të gjyqtarit, ndryshe nga më parë kur ishte e detyrueshme që takimi i parë të bëhej në drejtim të gjysmëfushës kundërshtare. Kjo do të thotë që në të ardhmen mund të shohim dhe të jemi dëshmitarë të nisjeve të çuditshme e plot fantazi të lojës. Mund të shohim gjithashtu edhe ekipe që e nisin lojën me topin e prekur nga vetëm një sulmues dhe jo dy të tillë.
Por risitë nuk përfundojnë këtu. Ka një listë të plotë me ndryshime që përfshijnë zbutjen e rregullave në lidhje me ndërhyrjet fatale për shmangien e rasteve për shënim. Gjyqtari mund të mbajë shënim emrin e futbollistit, në vend që ta ndëshkojë menjëherë me karton të kuq, nëse ndërhyrja është aksidentale ose jo aq e rrezikshme.
Njëkohësisht tashmë shtohet pushteti i gjyqtarit, i cili mund të largojë nga fusha futbollistët nëpërmjet shkualifikimit ende pa filluar loja.
Në favor të futbollistëve është fakti që tashmë ata do të mund të marrin ndihmën e parë që në fushë, ndryshe nga më parë kur ishin të detyruar të dilnin më parë jashtë vijave kufizuese.
IFAB ka miratuar gjithashtu një projekt pilot prej dy vitesh mbi përdorimin e teknologjisë video, që do të ndihmojë gjyqtarët në katër raste: nëse është realizuar ose jo një gol i pretenduar; përcaktimin e kartonëve të kuq, rastet për penallti dhe gabimi në identifikim.