BARRY STAVRO, LOS ANGELES TIMES
TIRANE, 03 KORRIK 1990 – Ishte pothuaj mesnatë, shiu binte litar, ndërsa një shqiptar rrinte nën çadër dhe bisedonte me një të huaj, një amerikan. Flisnin për gjëra të ndaluara. Befas ai u ndal.
“Policia!”, pëshpëriti. Pastaj u kthye dhe nisi të largohet.
Dy policë nxituan hapin dhe e arritën, duke e shoqëruar në hijet e një rrugice.
Pak ditë më vonë, krejt rastësisht, ai e pa sërish amerikanin. Policia e kishte ndaluar për më shumë se një orë, i rrëfeu të huajit. Por kishte qenë me fat: Vetëm e kishin qëlluar me shuplakë në fytyrë disa herë, para se ta lejonin të largohej. Ai nuk ishte një disident, por disidentët e vërtetë që shëtisin rrugëve të Tiranës gjatë natës janë më të kujdesshëm. Ata shmangin dy hotelet e turistëve të huaj, të cilët policia i mban vazhdimisht nën vëzhgim. Dhe në apartamentet e tyre të vegjël, kur flasin në lidhje me urrejtjen e tyre për qeverinë, gjëja e parë që bëjnë është të mbyllin dritaret.
Ky është një vend i kapur ende nën mbërthimin e akullt të Stalinizmit. Eshtë një vend, regjimi komunist i të cilit nuk është zbutur pothuajse aspak nga shkrirja që ka pësuar represioni nëpër të gjithë Europën Lindore.
Këtë vit ka patur disa ndryshime: Për herë të parë, shqiptarët mund të telefonojnë jashtë vendit, dhe ata që dëshirojnë të vizitojnë shtete të tjerë mund ta bëjnë, thotë qeveria. Por është ende e vështirë për të huajt që të vijnë këtu. Shqipëria, që ka 3.3 milionë banorë, ka lejuar të hyjnë vetëm 14 mijë të huaj gjatë vitit që kaloi. Nga këta, ndoshta jo më shumë se 1 mijë ishin amerikanë, dhe pothuajse të gjithë kishin të afërm që donin t’i takonin.
Qeveria flet për ndryshimin, por nëpër rrugë ka ende shumë dyshime. Panorama e fshatrave mbetet e “pikëzuar” me bunkerë betoni si kërpudha, me myshkun dhe barin që rriten mbi ta si kamuflazh – kujtime të viteve gjashtëdhjetë, kur Shqipëria i frikej një pushtimi nga ana e sovjetikëve.
Shqipëria dëshiron të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Sovjetik. Pas vitesh të tërë antagonizmi kundër të dy këtyre shteteve, ajo që i nevojitet më shumë regjimit të Tiranës tani janë paratë. Blerësit sovjetikë, thotë një diplomat perëndimor, mund të marrin disa mallra shqiptare të një cilësie të ulët, dhe amerikanët mund të ofrojnë ndihmë ekonomike.
Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, me një të ardhur për frymë 930 dollarë në vit, dhe jeta këtu është një luftë e përditshme për të përballuar mungesat. Vetëm pak dyqane me shenjën “Mish” tek dera kanë mish për të shitur. Ky shpërndahet i ngrirë, i paketuar në kuti dhe i vendosur në dysheme. Disa dyqane kanë pula të ngrira, disa nuk kanë asgjë.
Në dyqanet e “Frutave”, ka zarzavate, por i vetmi frut ndodhet në brendësi të kavanozëve të marmaladës. Në dyqanet e vajgurit, dhjetëra vetë qëndrojnë në radhë me bidonë dhe shishe plastike për të blerë vajgur për sobat e tyre të vogla të gatimit.
E shkëputur tashmë edhe nga aleati i vetëm që kishte dikur, Kina, të cilën e denoncoi për afrimin e saj me SHBA, Shqipëria i është “vardisur” Gjermanisë Perëndimore, Francës, Italisë, Greqisë, Austrisë dhe vendeve skandinave, me një sukses të pakët.
Pavarësisht dritës që ka mundur të depërtojë në të gjithë qoshet e errëta të Europës, Shqipëria mbetet një pjesë në hije e botës – sidomos pakica e disidentëve, të cilët shpresojnë në një mrekulli. Disidentët shqetësohen për ditë për policinë vendase të fshehtë, e quajtur Sigurimi. Një diplomat perëndimor thotë se ka 40 mijë sigurimsa në Shqipëri, që i bën ata një prej forcave më të mëdha në Europë, në raport me numrin e popullsisë. Të veshur me kostume, sigurimsat ruajnë disa prej ndërtesave qeveritare, por ata gjithashtu e mbajnë shoqërinë shqiptare nën një kontroll të hekurt njëpartiak. Personi që mori disa shuplaka nuk është i vetmi shqiptar që përpiqet të fshehë një bisedë.
Një mbrëmje, disa ditë më vonë, tre burra të gjithë në të tridhjetat, i dolën përpara amerikanit. Askush nuk e dinte që ai ishte gazetar.
Njëri i foli anglisht: “Kam një letër të rëndësishme për abuzimet me të drejtat e nejriut në Shqipëri. A mund t’ia postosh një gazete kur të kthehesh në Amerikë?”
Të tre u gëzuan shumë që ai ishte gazetar. Ecën sëbashku përbri statujës së Stalinit, ku shqiptarët thanë se disa muaj më herët kishte shpërthyer një bombë. Statuja nuk u dëmtua, por anglishtfolësi bëri një shenjë goditjeje karateje për të treguar se me kalimin e kohës ai do të shembet.
Folësi, punëtor fabrike, ktheu kokën pas përpara se t’ia dorëzonte letrën amerikanit. Dhe vazhdoi të flasë: “Në dy vitet e ardhshëm, populli do të sulmojë qeverinë”, i tha, “dhe do të ngrihet në solidaritet, ashtu si ndodhi në Rumani”.
Historia e këtij vendi ka qenë ajo e një dominimi të gjatë prej të huajve. Për pothuajse 500 vjet, turqit sunduan atë që është sot Shqipëria, përvec një periudhe të shkurtër në shekullin 15, kur një luftëtar shqiptar që quhej Skënderbe i dëboi turqit duke luftuar nga kështjellat e tij në male.
Kontrolli me grusht të hekurt është ushtruar nga brenda prej bashkëkombasve shqiptarë, që kur një grup rebelësh komunistë të udhëhequr nga Enver Hoxha dëboi nazistët nga Shqipëria në vitin 1944. Një admirues i thekur i Stalinit, Enver Hoxha ishte diktatori i Shqipërisë, deri kur vdiq në vitin 1985 dhe i preferuari i tij, Ramiz Alia mori kontrollin.
“Populli nuk ka armë, kanë vetëm duart”, tha shqiptari me zë të ulët. Më pas, bëri shenjën e mbylljes së zinxhirit tek buzët.
Shqiptari dhe dy miqtë e tij kishin frikë të shkonin pranë Sheshit Skënderbej, aty ku qëndron statuja e Enver Hoxhës, kështu që u përshëndetën në një qoshe të errët të rrugës.
Atë natë, amerikani e hapi letrën e tyre. I kopjoi të katër faqet me shkrimin e tij, e grisi origjinalin dhe copat i hodhi në banjë.
Letra fillonte:
“Eshtë e vështirë t’ju tregojmë për gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. … Ne nuk kemi… liri të fjalës, … liri të lëvizjes, …. ose liri të besimit në Zot apo edhe liri të organizimit në grupe të pavarur në parti të ndryshme politike… Unë besoj thellësisht se pjesa më e madhe e popullit shqiptar nuk beson në komunizmin apo stalinizmin”.
Letra përshkruante disa demonstrata antiqeveritare në fillim të këtij viti në Shkodër, pranë kufirit verior me Jugosllavinë, dhe në Kavajë, një qytet i vogël në jug të Tiranës, pranë Detit Adriatik. Qeveria mohon që demonstratat të kenë ndodhur. Por në letër përmendeshin pesë të burgosur që ndodheshin ende në qeli, plus katër të tjerë që në letër thuhej se ishin vrarë nga Sigurimi.
Disa netë më vonë, amerikani u takua me dy studentë të universitetit. Ata ranë dakord që të quheshin Arben dhe Muhamet. Të dy pëlqenin shumë grupin rrok Bon Jovi, por ishin edhe më të kënaqur prej politikës së Kryetarit Ramiz Alia për të pajisur me pasaporta ata që kishin të afërm apo miq jashtë vendit. Këto asaporta, thanë ata, do të ishin rrugëdalja e tyre. Por kishte një problem. Nëse arratiseshin, cfarë do të bënte qeveria me prindërit e tyre?
“Prindërit mua më thonë: Shko! Mos u shqetëso për ne. Ne për ty jetojmë”, tha Arbeni. Por duke mos dashur t’i bëjë dëm familjes së tij, ai tha se do të priste për valën e parë të shqiptarëve që do të largoheshin. Nëse familjeve të tyre nuk u bëhet dëm, vetëm atëherë Arbeni do të marë pasaportën dhe do të largohet.
Pagesa e biletave të avionit është një tjetër problem. Qeveria e Alisë thotë se shumica e biletave duhet të blihen me para në dorë, si dollarë apo stërlina – jo lekë, monedha shqiptare. Norma zyrtare e këmbimit është 7 lekë për 1 dollar, por në tregun e zi shqiptarët paguajnë deri 40 lekë për dollar.
Nëse Arbeni nuk përballon dot biletën për të fluturuar në Francë, ku ka një shok, ndoshta ai dhe shoku i tij do të bëjnë një udhëtim më të shkurtër për në Athinë, ku mund të kalojë gardhin e të futet në ambasadën amerikane.
“A do të më kthejnë ata?” pyet ai.
Ata që nuk presin dot për një pasaportë e provojnë dhe kalojnë gardhet rethues në ambasadat greke dhe italiane këtu në Tiranë. Mund të jetë një kërcim për jetë a vdekje. Ambasada greke ruhet nga një grup policësh shqiptarë me uniforma blu, të cilët qëndrojnë përreth perimetrit, ndërkohë që disa sigurimsa me fytyrën që nuk lëviz asnjë muskul u bëjnë shoqëri.
Brenda ndërtesës, Pantelis Carcabassis, i cili është zëvendësambasador, thotë se katër shqiptarë janë përpjekur këtë vit që të kalojnë gardhin e policëve dhe të hipin mbi murin rrethues.
Do të duhet një atlet i shkathët, i dëshpëruar dhe fatlum që të kalojë gardhin tani. Një pjesë e tij është hekur i punuar, me shufra shtesë që e bëjnë pothuaj 3 metra të lartë dhe një panel metali, në po të njëjtën lartësi, është vendosur mbi derën kryesore. Që kur nisën arratisjet, thotë Carcabassis, shqiptarët e kanë rritur edhe me ndonjë metër lartësinë e murit, duke vendosur edhe xhama të thyer në majë të tij.
I pari ndër ata të katërt kërceu mbi mur një mbrëmje marsi, në ato ditë kur jashtë ndodheshin vetëm dy policë. Ai priti deri sa të dy policët u takuan për të ndezur nga një cigare. Qeveria shqiptare, thotë Carcabassis, “na kërkoi me mirësjellje që t’i kthejmë mbrapsht”. Por grekët negociuan dhe pas disa javësh, shqiptarët i dhanë atij një pasaportë. Carcabassis vetë e shoqëroi në fluturimin drejt Athinës.
Personi i dytë erdhi të Dielën e Pashkëve. Carcabassis dhe stafi ndodheshin në oborrin e ambasadës duke përgatitur vaktin tradicional me qengj, kur panë shqiptarin të kërcejë brenda. “Tre policë kërcyen edhe ata brenda ambasadës dhe u përpoqën ta nxjerrin jashtë”, kujton Carcabassis. “Ata shkelën hapësirën tonë diplomatike”.
Stafi i ambasadës e strehoi shqiptarin dhe Carcabassis, një tip i bëshëm, thotë se “praktikisht i shtyva vetë përjashtë policët”. Shqiptari i dytë që hyri në ambasadë tha se punonte në një minierë pranë Tiranës. “Ishte ndier aq i dëshpëruar, sa kish lënë pas gruan dhe tre fëmijë”, thotë Carcabassis. Ai jetoi brenda ambasadës për dy javë, deri kur shqiptarët lëshuan një pasaportë edhe për të. Por jo përpara se të vinte i treti. Ai u fut në ambasadë në orën 8.15 të të dielës së fundit të prillit. Për të mbrojtur të dytin që ndodhej ende brenda ambasadës, stafi kishte mbyllur dyert e ndërtesës rezidenciale të ambasadës.
Kur personi i tretë nuk mundi të hapte asnjë nga dyert, ai vrapi ndërmjet dy prej ndërtesave. “Tre policë dhe një sigurims erdhën brenda”, thotë Carcabassis, “dhe praktikisht e rrahën deri sa humbi ndjenjat. Më pas e hodhën nga sipër gardhit si një thes me patate”.
Përpjekja e katërt ndodhi në maj. Carcabassi ishte duke ecur në oborrin e ambasadës. “Dëgjova të shtëna. Një burrë po vraponte në drejtim të portës kryesore. Po ndiqej nga policia; dhe 5 metra larg gardhit, policët e shtrinë përtokë. E rrahën brutalisht me shkopinj në organet gjenitalë dhe në kokë. Humbi ndjenjat brenda pak sekondave. E hodhën në një makinë dhe u larguan me shpejtësi”.
Sigurim mban të dhëna edhe për stafin e ambasadave. Një diplomat në një tjetër ambasadë në Tiranë thotë: “Ne mendojmë që bisedat tona telefonike përgjohen. Një pjesëtare i një tjetër ambasade më tha se po fliste me të shoqin. Në momentin që po ulte receptorin, dëgjoi që e gjithë biseda u luajt edhe një herë gabimisht. Nëse nuk duam të na përgjojnë, ne shkruajmë në letër, ose vendosim muzikë me zë të lartë, ose dalim në rrugë. Ndoshta na ndjekin, por bisedat që dëgjojnë nuk janë të plota”. Kështu diplomati i huaj e mori amerikanin për një shëtitje të gjatë në Tiranë. Ata ecën krah universitetit shtetëror dhe pranë atij që diplomati e quajti “qyteti i ndaluar” – grupi i vilave ku jetojnë Alia dhe qeveritarë të tjerë. Vilat ruheshin me ushtarë me automatikë dhe sigurimsat qëndronin nën pemë, për të shmangur të nxehtin.
“Unë nuk mendoj se ka një lëvizje të organizuar kundër qeverisë”, thotë diplomati duke ecur. “Ka kundërshtime. Por këtu dominoja nuk u rrëzua për shkak të një mungese komunikimi dhe për shkak të shtypjes nga sigurimi. Shqiptarëve u mungon mundësia e komunikimit. Si e ka thënë Lordi Mountbatten, gjëja më e rëndësishme në një luftë është komunikimi. Këtu ka shumë pak telefona”.
Ai tha se shanset për një revolucion janë një në pesë gjatë pesë viteve të ardhshëm – një në dy gjatë dekadës së ardhshme.
“Nëse rrëzohet qeveria, do të ketë gjakderdhje”, tha ai. “Do të jetë më keq se në Rumani. Ushtria shqiptare nuk do të qëllojë mbi popullin, por sigurimsat do të mbrohen deri në pikën e fundit të gjakut”.
Cdo dalje e mundshme nga Shqipëria ruhet me policë. Në jug, në Sarandë, një qytet me palma dhe një port në formë gjysmëhëne në Detin Jon, gjëja që spikat më shumë është pamja e ishullit grek të Korfuzit, me formën e tij shkëmbore të gjelbër, vetëm 5 milje larg. Herë pas here, ndonjë notar shqiptar që mund të shmangë dallgët, peshkaqenët dhe varkat e rojeve bregdetare arrin të arratiset drejt Korfuzit.
Një grup prej 20 turistësh finlandezë kishte ardhur në Sarandë dhe në hollin e hotelit, një natë një prej udhërrëfyeseve me emrin Suvi Kiviharju kishte shpjeguar se për udhëtarët veteranë, Shqipëria ishte një ndryshim ekzotik. Pothuajse të vetmit shqiptarë që kishin takuar ishin udhërrëfyesit qeveritarë, tha ajo, por mund ta shihnin varfërinë në këtë vend. Gjithmonë përjashtë hotelit kishte fëmijë që luteshin për camcakëzë dhe stilolapsa.
Teksa ajo fliste, një rreze drite nga një projektor i vendosur në bazën detare përshkoi errësirën. Më tej vazhdoi në një hark përgjatë sipërfaqes së errët të detit, duke fshehur dritat vezulluese të Korfuzit.
Udhërrëfyesja u pyet nëse ndonjëri prej turistëve do të bënte nëj udhëtim të dytë në Shqipëri. “Ky nuk është një vend ku njeriu do të kthehet”, tha ajo. /Los Angeles Times (korrik 1990)/ Në shqip nga bota.al