Nga Meka e Shenjtë/ Dritan Laci “Opinion”
Kush nuk ka udhëtuar ndonjëherë është plot me paragjykime për vendin ku shkon. Por po ashtu kush kthehet nga një udhëtim nuk ka sesi të jetë i njëjti person që u nis. Njeriu si një qenie endacake në kërkim të shuarjes së kureshtjes është gjithmonë në kërkim të eksperiencave jetësore. Dikush rend pas aventurave, dikush zgjedh udhëtime sa më relaksuese, disa syresh sakrificën sublime në emër të Zotit. Kur një mëngjes në adresën time mbërriti një ftesë përtej atyre të zakonshmeve që vijnë në postën e një gazetari, për të kryer ritualin e Haxhit në Mekën e shenjtë, nuk pata asnjë mëdyshje se ky ishte udhëtimi i jetës që duhet të bëja. Sikundër as tani pas kthimit ku ende përjetoj dhe ndaj me miqtë emocionet e këtij udhëtimi në qendrën e botës islame, aty ku rreth 3 milion pelegrinë nga e gjithë bota, dallgëzohen si një karvan i pamatë njerëzish me lutjet e tyre drejtuar Zotit në rrugën që profeti Muhamed ndoqi gjatë persekutimit të tij nga Meka në Medina. Një ftesë zemërgjerë e Mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz al Saud, por edhe Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku falë paketës “Miqtë e Mbretit” u mundëson delegacioneve nga e gjithë bota, midis tyre edhe atyre shqiptare, kryerjen e ritualit të Haxhit me shpenzimet e financave të shtëpisë së Saudëve, apo ndryshe të oborrit mbretëror saudit. Një ftesë e cila mblodhi bashkë në një qëllim profesorë, gazetarë, teologë, juristë etj të cilëve Mbreti Salman, u krijoi të gjitha lehtësirat e mundshme për të kryer këtë ritual të shenjtë.
Në shtëpinë e Zotit, takimi me Mekën e Shenjtë
Takimi me Qabenë e Mekës ka një emocion të veçantë. Besimtarët këtu janë të bërë njësh, sa është e vështirë të dallosh ku fillon njëri dhe ku përfundon tjetri. Duket si një masë e shkrirë njerëzore të bashkuara në një lutje. Pelegrinët kanë ardhur këtu nga të gjitha vendet e botës; nga Amerika Latine, Oqeania e largët deri në skajet më të largëta të Afrikës. Delegacioni shqiptar “Miqtë e Mbretit” përbëhet nga 17 besimtarë. Këshilla e parë që na japin drejtuesit e grupit është që të qëndrojmë bashkë, në të kundërt nëse humbet lidhjet me grupin, është shumë e vështirë për gjetur shoqi-shoqin. Në këtë masë të bardhë të pafundme ihramësh (rroba e një myslimani gjatë ritualit të Haxhit) mungesa e vëmendjes për një çast, mund të të humbasë lidhjet me grupin. Përtej incidenteve të mëhershme, autoritetet saudite dhe vetë mbreti Salman, po bëjnë çmos që Meka e Shenjtë të jetë një vend sa më i sigurtë. Për këtë arsye masat e organizimit dhe të sigurisë janë nga më të lartat e mundshme. Po kështu edhe investimet për ti krijuar sa më shumë lehtësi pelegrinëve janë të konsiderueshme, gati faraonike. Kjo edhe falë një projekti madhor që mbreti Salman ka nisur, të quajtur “Vision 2030” që parashikon që Meka brenda këtij viti të presë 10 milion pelegrinë, nga 2.5 milion që ka aktualisht. Për këtë qëllim mbretëria Saude po investon si në infrasktrukturën hoteliere, po ashtu edhe në linjën e tramit të shpejtësisë së lartë (së fundmi është në testim) për të mundësuar lehtësimin në kohën sa më të shpejtë të lëvizjes së pelegrinëve në vendet e shenjta.
(Shiko më poshtë video dhe foto)
Veshja e Ihramit dhe simbolika
Gjatë ritualit të Haxhit, ihramit vishet vetëm në ditë të veçanta. Kjo rrobë e cila përbëhet nga dy peshqirë, simbolizon jetën tjetër. Para kryerjes së tauafit të përshëndetjes në Qabe, besimtari vesh ihramin e tij dhe gjatë kësaj kohe nuk pret flokët, thonjtë apo të parfumoset. Përfundimi i këtij rituali është kthimi në jetën e kësaj bote ku burrat që tu pranohet Haxhi është e këshillueshme të rruajnë kokën ose të shkurtojnë flokët.
Vajzat dhe gratë, rregullat e Haxhit
Ndryshe nga meshkujt që vishen me rrobën e ihramit, gratë dhe vajzat gjatë ditëve të Haxhit mbajnë rrobat e tyre te zakonshme, ku nuk lejohen rrobat me shkëlqim dhe ato me ngjyra te ndezura. Për gratë lejohet vetëm paksa prerja e flokëve, ndërkohë që nuk këshillohet kryerja e marrëdhenieve seksuale gjatë kohës së ritualit. Përfundimi i ritualit të Haxhit dhe heqja e veshjes së ihramit, është kthimi në jetën e kësaj bote, me zemër dhe moral të pastër.
Pse jo myslimanët nuk lejohet të shkelin në Mekë
Rituali i Haxhit ka disa rregulla strikte të cilat vlejnë të vihen në zbatim për çdo besimtar mysliman ose jo që vjen të vizitojë gjatë këtyre ditëve vendin e shenjtë. Rituali është i lejueshëm të kryhet vetëm nga besimtarët myslimanë ndërkohë që asnjë besimtar i një feje tjetër nuk lejohet të vizitojë Mekën. Për të gjithë të huajt, në hyrje të qytetit të Mekës ka rrugë të veçanta ku ata mund të kalojnë, po kështu çdo automjet që lëviz në qytet është i çertifikuar nga autoritetet vendore dhe disponon një shenjë të veçantë të dallueshme që i mundëson lëvizjen lirish në qytet.
Veshja e Ihramit dhe rregullat që duhet të dini
Kryerja e ritualit të Haxhit është shtylla e pestë e besimit islam, dhe është obligim për çdo besimtar mysliman që një herë në jetë të kryejë këtë ritual. Një nga gjërat që nuk duhet të ngatërroni është se veshja e Ihramit nuk ka lidhje me veshjen tradicionale të vendasve që quhet Xhelebie. Ihram quhet rroba e bardhë prej dy copash të bardha, që vishet në vendet e caktuara. Me fjalën “Ihram” kuptohet: “Qëllimi që ka besimtari mysliman për të kryer cermonitë e Haxhit apo të Umras”. Pra, bërja e nijetit për të kryer Haxhin në kohën e tij, apo Umran kur viziton Qaben. Ihrami përdoret vetëm gjatë kryerjes së ritualeve dhe pas përmbushjes së tyre besimtarët veshin rrobat e tyre. Ceremonitë e Haxhit dhe të Umras fillojnë, në momentin kur haxhiu mbërrin në vendcaktimet. Pasi arrin aty, ai lahet dhe pastrohet, vesh dy copat e bardha, ndërsa gruaja qëndron me veshjen e zakonshme dhe bën nijetin. Vendcaktimet nuk duhet të kalohen pa veshur ihramin (rrobën dy copëshe). Haxhiu mund ta veshë ihramin që në shtëpinë e tij, kur afrohet në vendcaktimet fillon dhe këndon “Telbijen”. Ndaj kur niseni për Haxh duhet të dini edhe disa rregulla. Qëllimi i Haxhit duhet të jetë vetëm për hir të Allahut, të kemi kujdes që të mos e bëjmë Haxhin për tu dukur, sepse kështu nuk vlen për asgjë. Udhëtari që niset për në Mekë (me qëllim që të kryejë Haxhin), duhet që të lajë borxhet dhe të shkruajë testamentin, pasi jeta është në Dorën e Allahut. Pendimi nga mëkatet dhe vendosmëria për të mos u kthyer më në to. Kërkimi i hallallëkut nga të gjithë. Paraja që shpenzon për udhëtim, të jetë e fituar me djersë dhe të mos jetë para haram. Të largohet nga të gjitha mëkatet, të mbajë gojën, të mos ngacmojë, të mos shtyjë kur kryen ceremonitë e Haxhit, të mos debatojë me të tjerët, të mos gënjejë dhe të mos thotë ndonjë fetva pa ditur gjë.
Çfarë duhet të dini për Gurin e Zi!
Për ata që nuk e dinë, Meka quhet ndryshe shtëpia e Zotit. Quhet kështu sepse këtu profeti Muhamed vendosi bazat e para të besimit islam, ndaj edhe Meka njihet si qyteti i parë islam në botë. Kush udhëton drejt Mekës dhe nuk ka qenë më herët këtu, shpesh merr me vete edhe një valixhe me legjenda urbane, të cilat fillon dhe i davarit shumë shpejt me takimin e parë me këtë vend të shenjtë. Legjenda më e zakonshme që qarkullon është ajo e gurit të zi që rri në ajër. Në fakt nuk ka një gur të zi që rri në ajër. Është një gur i bardhë i cili me kalimin e kohës është bërë i zi nga prekja e besimtarëve gjatë kryerjes së 7 rrotullimeve rreth Qabesë, apo ndryshe rituali i tauafit.
Guri i Zi (Haxherul Esued), ndodhet në qoshen jugore të Qabesë, ka një formë vezakë, i gjerë 30 cm, në ngjyrë të zezë dhe të kuqe, ndërkohë që mendohet se ka edhe një pjesë të padukshme të bardhë, si edhe rrethohet nga një kornizë ngjyrë argjendi. Ky gur është simbol i përqendrimit të dashurisë për Allahun.
Po në Qabe ndodhet edhe Guri i Ibrahimit (Mekamu Ibrahim); guri ku Profeti Ibrahim vinte këmbët në kohën kur ndërtonte Qabenë. Gjurmët e këmbëve shquhen edhe sot; 10 cm të thella, 27 cm të gjata dhe 14 të gjera. Ky gur është I larë në argjend dhe largësia midis dy gjurmëve është 1 cm, të vendosura në një pedestal të mermertë prej 75 cm.
Një tjetër informacion i dobishëm që duhet të dini gjatë lutjeve tuaja në këtë vend të shenjtë është edhe El Multezim apo Vendqendrimi për Lutje, ku njerëzit kryejnë lutjet e tyre drejtuar Zotit.
Rituali i Haxhit është një ripërtëritje shpirtërore dhe psikologjike për besimtarin mysliman, në vendin e bekuar nga vetë Zoti. Ndaj edhe duhet përjetuar si një formë e tillë riprogramimi shpirtëror. Çdo formë tjetër ndryshe do të ishte sharlatanizëm. Një pakicë e besimtarëve që kryejnë 7 rrotullimet e tauafit, vijnë këtu me qëllimin për të përfituar nga prekja e Gurit të Zi, duke përdorur rroba apo sende të cilat më pas i tregtojnë në vendet e tyre për heqje magjish apo syrit të keq, çka është e palejueshme. Ndaj edhe drejtuesi i grupit na mëson se çdo lloj tjetër adhurimi këtu apo abuzimi nuk ka lidhje me ritualin e Haxhit dhe vetë Qabenë.
Uji i shenjtë i Zemzemit dhe vlerat kurative!
Duket e pabesueshme, por e vertetë. Nuk e shikojmë dot me sy, por poshtë këmbëve të Qabesë së shenjte, rrjedh një burim po kaq i shenjtë, i cili nuk shteron kurrë. Është burimi I ujit të Zemzemit, që shuan etjen e milion besimtareve. Si është e mundur një gjë e tillë në vendin më të varfër me rezerva hidrike? Askush nuk di të japë një përgjigje të saktë, por e vërteta është se ky burim nuk shteron kurrë dhe përpos kësaj ka edhe vlera curative. Historia na tregon se Haxhireja duke u endur ditë e natë pa shpresë në shkretëtirë midis kodrave Safa dhe Merua për ti shuar etjen djalit të saj të vogël Ismailit, papritur u ndesh me një pellg uji që doli në sipërfaqe, që më pas u shndërrua në pus, I cili do të quhej Zemzen, që do të shuante etjen jo vetëm të saj por edhe të miliona haxhinjve që që do të vinin në vendin e shenjtë nga e gjithë bota. Ndërkohë që edhe vetë Pejgambeti Alejhi Selam ka thënë: “Uji më i mirë në sipërfaqen e tokës është Uji I Zemzemit. Ai është ushqim për të uriturit dhe ilaç për të sëmurët”. Ky ujë lejohet për tu shpërndarë për miqtë, por asesi nuk është i lejueshëm të shitet për qëllime përfitimi.
Qëndrimi në Muzdelife dhe malin Arafat
Haxhi nuk mund të kuptohet pa sakrificë. Me miliona peligrinë vijnë në Mekë për të kryer këtë ritual të shenjtë, një pjesë e mirë e tyre duke shpenzuar edhe kursimet e mbledhura gjatë një jete të tërë pune. Është e jashtëzakonshme të shikosh në këto ditë karvanin e pafund të besimtarëve që ecin e ecin pafundësisht në rrugën që ndoqi Profeti Muhamed në ikjen nga Meka. Me qindra mijëra njerëz, pushtojnë autostradën drejt Musdelifes drejt malit Arafat e më tej drejt luginës së Minas. Janë të rinj, mosha të mesme, pleq, por edhe njerëz mbi karoca invalidësh të cilët nuk stepen aspak nga rruga e gjatë dhe mundimshme apo nga temperaturat që edhe në mbrëmje nuk zbresin poshtë 40 gradë celcius. Rrugës për në këto vende shpesh has vendas por edhe kamionë që shpërndajnë ushqim dhe ujë për pelegrinët.
Vizita në Muzeun e Mekës dhe në punishten e punimit të pëlhurës së Qabesë
Një nga momentet interesante të turit tonë në Mekë është edhe vizita në punishten ku punohet në mënyrë artizanale pëlhura që mbulon Qabene, por edhe në muzeun e artifakteve që përbëjnë historinë e Xhamisë së Shenjtë. Është interesante të mësosh këtu se si çelësi që mban të mbyllur portën e Qabesë I është lënë amanet nga Profeti Muhamed një familje, trashgimtarët e së cilës e ruan edhe sot e kësaj dite. Askush tjetër përveç kësaj familje nuk ka të drejtë ta mbajë këtë çelës. Edhe në rastet e protokolleve shtetërore, mbretërit apo princërit saudë duhet ti drejtojnë një leje të posaçme kësaj familje për të marrë çelësin. Kush do Princ që e merr këtë çelës në mënyrë të dhunshme, quhet Princ zullumqar dhe do krijonte një precedent të rrezikshëm. Po kështu është interesante të mësosh se qëndisja me ar e pëlhurës që mbulon Qabenë bëhet e gjitha me dorë dhe për këtë kryer këtë punë të jashtëzakonshme punojnë rreth 200 mëditës për afro 8 muaj të vitit.
(Shiko fotot dhe videot më poshtë)
Hedhja simbolike e gurëve në Mina ndaj shejtanit
Hedhja e gurëve në Mina është edhe etapa e parafundit e kryerjes së ritualit të Haxhit, para tauafit të lamtumirës që kryhet në Qabe. Me qindra mijëra besimtarë nga e gjithë bota qëndrojnë në këtë luginë në tenda në pritje të hedhjes së gurëve që simbolizojnë largimin e shejtanit. Besimtarët ashtu si në ritualin e kryerjes së tauafit, 7 rrotullimeve rreth Qabesë, apo edhe në qëndrimin në malin Arafat, edhe këtu veshin rrobën e Ihramit. Goditja me 49 gurë e tri shtyllave simbolizon goditjen e shejtanit, i cili tentoi të pengonte Profetin Ismail A. S në sprovën që Zoti i kishte dhënë babait i tij Ibrahimit për të bërë Kurban djalin. Ku Ismaili jo vetëm që nuk dëgjoi fjalët e shejtanit por e goditi atë me 7 guralecë duke i qorruar edhe njërin sy. Goditjen e dy shtyllave të tjera me nga 21 gurë secila, simbolizon edhe vetë festën e Kurban Bajramit, ku simbolika është flakja tej e së keqes në mendje, në zemër, në fjalë, në punë, në vepra, në veprime.
(Shiko foton dhe videon më poshtë)
Ne Medina, në shtëpinë e Profetit
Nëse Meka është shtepia e Zotit, Medina është shtëpia e Profetit. Quhet kështu pasi ketu profeti Muhamed gjeti shtëpinë e tij pasi idhujtarët që nuk pranonin mësimet e Zotit që ai predikonte, e përzunë nga Meka e tij e dashur. Në qendër të këtij qytet ndodhet edhe Xhamia e Profetit edhe varri i Pejgamberit A. S si dhe dy miqve të tij besnik që e ndoqën në kalvarin përndjekës; Omerit dhe Ebu Bekrit. Qyteti reflekton qetësi që në hyrje të tij. Në njërin krah ndodhet stacioni i vjetër i trenit i ruajtur si në fillimet e veta. Më tej shfaqen xhamitë madhështore të dy miqve të Profetit, Omerit në të majtë dhe Ebu Bekrit në të djathtën tonë. Ndërtesat e qytetit ruajnë me besnikëri stilin oriental, gjë e dukshme në të gjithë shtrirjen e tij. Portikët e mëdhenj me harqe veshin kudo ndërtesat. Rrugicat e shumta jo fort të gjera, por mbi të gjitha pastërtia, dhe vitrinat e veshura në pjesën më të madhe me reklama të markave të njohura botërore, përnjimend të japin përshtypjen se nuk ke të bësh me një qytet të orientit. Edhe pse jashtë duhma e nxehtë e erës së shkretërirës të përzhit fytyrën, ky qytet mbart në vetvete një dimension hyjnor që fillon dhe e zbulon teksa njihesh me disa prej vendeve të tij të shenjta. Banorët e Medinas janë shumë miqësorë me të huajt. Edhe pse në të shumtën e herëve ata me të cilët të takon të shkëmbesh biseda janë tregtarët, dyqanet e të cilëve rrethojnë më së shpeshti Xhaminë e Profetit Muhamed. Një detaj aspak shqetësues për rrethimin e një xhamie si kjo e Profetit, i cili edhe vetë ka qenë tregtar përpara se të predikonte fjalën e Zotit. Kryesisht dyqanet që mund të gjesh këtu janë ato të floririt dhe parfumeve, ku dominon Oud, një parfum tipik arab, i fortë dhe i ëmbël për flegrat e hundëve, që këtu mund ta gjesh kudo për një shumë të përballueshme Riyals (njësia monetare vendase). Por ajo që të befason dhe të magjeps është vetë Xhamia e Profetit Muhamed, e dallueshme për së largu nga muri rrethues me portikë. Një hapësirë e pamatë mermeri së jashtmi, e veshur në të gjitha skajet me kolona të gdhendura që mbajnë mbi krye lule ornamente të stërmëdha prej qelqi që shërbejnë si fanar ndriçues gjatë netëve, apo edhe si ventilator për të shuar shuajnë disi zhegun raskapitës të orëve të ditës ku temperaturat arrijnë deri në 50 gradë celcius. Një oborr i pafundëm qetësie që besimtarët e shfrytëzojnë qoftë për tu lutur por edhe për të pushuar për orë të tëra në prehjen që të ofron. Po kaq madhështore është edhe vetë brendia e Xhamisë së Profetit. E veshur e gjitha me kolona të bardha dhe abazhurë të praruar që për pak sa nuk prekin kokat e besimtarëve, të cilët thirrja e ezamit i nxiton të shtrojnë sixhadet dhe të respektojnë vaktet e faljeve. Nuk ka se si të jesh në Xhaminë e Profetit dhe të mos vizitosh varrin e tij. Kur e pyes Emërimin udhërrëfyesin tonë, përse Profeti Muhamed zgjodhi Medinën si vendin e tij të prehjes së përjetshme dhe jo Mekën, vendin e tij të lindjes, përgjigja lidhet me vetë mikëpritjen që banorët e Medinës i bënë Profetit Muhamed pasi banorët e Mekës e përndoqën. “Ky vendim ishte një shpërblim për Medinën që e mirëpriti dhe e besoi në predikimet e tij, të cilëve ai nuk mund tu kthente shpinën, ndaj edhe vendosi që kjo të ishte shtëpia e tij e fundit”
(Shiko videot dhe fotot mëposhtë)
Përtej…Shqipëria në botën arabe dhe Sheikh al-Albani
Udhëtime të tilla përveç emocioneve të papërshkrueshme që të dhurojnë janë edhe një pikë takimi me shumë banorë të tokës të cilët nga të panjohur, befas në bisedat me ta bëhen një urë komunikimi me një botë shpesh të prirur nga paragjykimet. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, një nocion gjeografik, gati e papërfillshme në strukturën globale të interesit të ngushtë gjeopolitik. Por për të na ndihmuar të kemi edhe ne zërin tonë në këtë formacion interesash, na vijnë në ndihmë shumë njerëz të shquar, të cilët ne këtu në Shqipëri pothuaj ose i kemi lënë në hije ose nuk i njohim fare. Kështu edhe ky udhëtim më bëri të njoh një nga personazhet me të rëndësishëm shqiptar të botës islame; Sheikh al-Albani (Muhammad Nasir-Ud-Din al-Albani 1914-1999), një nga dijetarët më të mëdhenj islam me origjinë shqiptare, lindur në Shkodër dhe ndërruar jetë në Siri. Emrin dhe veprën e këtij shqiptari e njoha në bisedat me pelegrinë të ndryshëm nga e gjitha bota. Gjetja e parë i papërgatitur ishte një pelegrin nga Maldive, i cili ndërsa i thashë që jam nga Shqipëria, buzëqeshi shpejt e shpejt duke më thënë se jam nga vendi i Sheikh al-Albanit, dijetarit të madh islam. Po kështu edhe një pelegrin nga Benini në Afrikën Qendrore. Aq sa fillova ta ndjeja veten ngushtë për këtë mosnjohje timen mbi figurën kaq popullore të këtij dijetari të harruar në Shqipëri.
Në përfundim…. Një falenderim të veçantë për mikëpritësit tanë në këtë udhëtim si edhe për delegacionin shqiptar të Haxhinjve duke përmendur këtu edhe drejtuesit e grupit imamët Sedat Mahmudaj dhe Emërim Koçi që me kujdesin e tyre na e bënë edhe me interesant këtë udhëtim edhe nga ana historike. Por një falenderim nga zemra edhe per Komunitetin Mysliman Shqiptar që na ofroi mundësinë për të qenë pjesë e kësaj mbrese të pashlyer në vendet e shenjta.